Menjëherë pas reagimit të Athinës, vjen dhe reagimi i ministris për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri.
Ministria shpreh keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes së ndodhur sot në Bularat, nga shteti fqinj.
Rreth orës 15:00 Kostandions Kaçifa, 35 vjeç mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA pasi këta të fundit kishin shkuar për ta arrestuar. Policia ishte vënë në ndjekje të tij për disa orë pasi paradite kishte qëlluar policine me armë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar” thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme.
Gjithashtu ministria shpreh zhgënjim për reagimin e Athinës dhe bën thirrje për maturi.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme. Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke. ”