0
582

Mesditën e sotme, në fshatin Bularat të Gjirokastrës u zhvillua ceremonia mortore për ekstremistin grek, Kostandin Kaçifas që më 28 tetor qëlloi mbi forcat RENEA.

Me veshje ushtarake dhe i mbuluar me flamur grek, arkivoli i Kostandinos Kaçifas doli nga banesa rreth orës 13:15 minuta.

Qindra qytetarë nga Greqia u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit ekstremistit grek, 12 ditë pas shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, ku 35 vjeçari mbeti i vrarë.

Kortezhi udhëhiqej nga një flamur i madh grek, ndërsa thirrja e qytetarëve grek ishte “Kaçifas ti jeton, na udhëhiq”.

Nuk munguan as ofendimet dhe sharjet ndaj shqiptarëve “qentë shqiptarë”

Parullat e tjera të tyre ishin: “Vorio Epiri është Greqi dhe Maqedonia është Greqi”.

Thirrjet herë pas here ndërpriteshin nga këmbanat e kishës.

Pas ceremonisë në kishën e fshatit, trupi i Kaçifasit mes duartrokitjeve të grekëve u përcoll për në banesën e fundit.

Nuk pati prezencë të forcave të policisë.

Ceremonia u ndoq me interes të madh nga mediat greke dhe shqiptare, ku këto të fundit u diskriminuan dhe u ofenduan.

Kamerat e televizioneve shqiptare nuk u lejuan për asnjë moment që t’i afroheshin banesës së Kacifasit, pasi familjarët shpreheshin se ata nuk i njihnin mediat shqiptare, por vetëm ato greke.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe zyrtarë grekë dhe shqiptarë që përfaqësojnë minoritetet.

Spiro Ksera, Vangjel Tavo dhe Vangjel Dule ishin në ceremoni. Ky i fundit bëri thirrje që të zbardhet sa më parë e vërteta për vrasjen e Kaçifas.

I pranishëm ishte edhe deputeti i Demokracisë së Re në Greqi, Savas Anastadhiasi.

Kostandin Kacifas mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit nga forcat RENEA në 28 tetor, ditën e festës greke pas një përplasje me policinë shqiptare, ku 35-vjeçarit iu bë thirrje disa herë për tu dorëzuar, por thirrjeve të policisë Kacifas iu përgjigj me armë.

 

Ora 12:00 Ndalohen 4 grekë, kthehet një furgon me ekstremistë të Agimit të Artë

Siç ishte paralajmëruar kanë mbërritur edhe 8 autobusët e parë nga Greqia që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Mediat greke kanë raportuar se më shumë se 2000 shtetas grekë pritet të mblidhen në fshatin Bularat.

Raportohet se policia shqiptare ka shoqëruar 4 persona, pasi mbanin në makinë simbole antishqiptare. Po ashtu ka kthyer një furgon me mbështetës të Agimit të Artë dhe dhjetëra persona me simbole dhe flamuj grekë, të cilët tentuan të hynin në territorin shqiptar me makina të vogla.

Policia shqiptare po bashkëpunon me atë greke për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Po ashtu policia po vëzhgon dhe po mban nën mbikqyrje persona me precedent penal, kryesisht ata të Agimit të Artë.

Përcjellja drejt banesës së fundit e 35-vjeçarit do të bëhet sot në orën 13:00 në fshatin Bularat.

Trupi i Kaçifas, cili u vra para 12 ditësh nga RENEA, mbërriti në fshatin Bularat pasditen e ditës së djeshme

 

 

 

 

 

 

(Foto:Lsa)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here