Meta: Këtu lidhet historia e albanologjisë, gjuhës e kulturës shqiptare

0
540

Presidenti i Republikës, Ilir  Meta zhvilloi një vizitë në Universitetin e Kozencës në Kalabri ku u takua përzemërsisht me Rektorin Gino Mirocle Crisci, me studentë arbëreshë dhe shqiptarë, me pedagogë, si dhe me stafin akademik.

Pasi u njoh me një prezantim të detajuar të Universitetit kalabrez (UNIQAL) dhe me funksionimin, strukturën e mjediset e tij, Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e madhe të Universitetit për shkollimin e të rinjve italianë, arbëreshë dhe nga Shqipëria, sidomos kontributin për studimin e gjuhës shqipe, forcimin e marrëdhënieve me vendin tonë dhe shkëmbimin e përvojës së vyer akademike.

Ja fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

“I nderuar prof. Gino Crisci (Xhino Krishi), Rektor i Universitetit te Kalabrisë,

Të nderuar profesorë, akademikë, studiues, studentë,

Zonja dhe zotërinj,

Universiteti i Kalabrisë për vendin tim dhe për mua personalisht nuk është si çdo universitet tjetër.

Me këtë universitet është e lidhur fort tradita e promovimit të identitetit arbëresh, i cili është një identitet “sui-generis” (shqiptaro-italian) që bashkon e ndërlidh dy anët e Adriatikut.

Me këtë universitet lidhet historia e albanologjisë, historia e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës shqiptare.

Ne u jemi mirënjohës kolegjeve e seminareve italo-arbëreshe, që i paraprinë Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën europiane, si frymëzim për jetën dhe veprën e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë.

Nëse interesimi për gjuhët e vendeve të vogla e të palëvruara nis me enciklopedistin dhe filozofin gjerman Lajbnic, Italia e Jugut ka meritën historike si vendi i themelimit të së parës katedër të gjuhës shqipe në botë.

Pesë shekuj më parë në këto treva emigruan dhjetëra mijë, ndoshta dhe qindra mijë arbëreshë, që nuk e duruan sundimin e huaj dhe e lanë me dhimbje vendin e të parëve.

Italia e Jugut u bë atdhe i dytë jo vetëm për arbëreshët, por edhe për grekët e sllavët, për të gjithë ata që historia i njeh si levantinë.

Këtu bashkëjetuan gjuhë, besime, liturgji, tradita e kultura të burimeve të ndryshme. Dhe kjo tolerancë multikulturale është para së gjithash vlerë dhe meritë e shumicës, sepse pakica është ajo që ka nevojë të tolerohet ashtu si edhe në demokraci.

Mirënjohja jonë i drejtohet para së gjithash kësaj tolerance e bashkëjetese, pa të cilat nuk do të mund të imagjinohej kjo mbijetesë gjuhësore, kulturore e identitare e të gjitha grupimeve pakicë, para së gjithash e arbëreshëve.

40 vjet më parë, kur ishte në këto anë e në keto vise, shkrimtari ynë i madh Dritero Agolli pati thënë se: “Ju arbëreshët jeni bijtë dhe etërit tanë”. Kjo shprehje ka një domethënie të madhe. Duket si kundërthënie, por ka shumë mençuri dhe urtësi në thelbin e vet.

Ju jeni bijtë tanë, sepse jeni një degë e ndarë prej dheut të të parëve shekuj e shekuj të shkuar, ashtu siç shkruante Zef Serembe me vargjet e tij:

“Arbëria matanë detit na kujton,

Se ne të huaj jemi tek ky dhe”.

Por Driteroi ka të drejtë edhe kur i quan arbëreshët “eterit tanë” sepse sa herë që duam të dimë si kanë qenë shqiptarët para se të bëheshin pjesë e nje perandorie të huaj, që vinte nga Lindja aziatike, teokrate e ushtarake, ne i kthejmë sytë nga ju, nga arbëreshët.

Tek arbëreshët shohim ato vlera fisnikerie dhe identitare që na bëjnë krenarë edhe sot e kësaj ditë për prejardhjen dhe historinë tonë të lavdishme.

Mbijetesa juaj “në dhe të huaj”, sic thoshte Skiroi, është një meritë historike e kulturore e shpirtit te Arbërit. Eshtë dhe mbijetesë e shpirtit të Arbërit andej, të shqiptarëve të sotëm.

Ju nuk e harruat epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit, të Gjergjit të Madh, me të cilin jeni identifikuar, të Kastriotit tonë, të cilit sivjet i nderojmë 550-vjetorin e ndarjes nga jeta, me Vitin Mbarëkombëtar, qe na ka bashkuar e lidhur edhe me shumë.

Arbereshët mbajtën gjallë kujtimin e Skenderbeut dhe rrojtën prej nderit e lavdise së tij.

Kur De Rada bëri thirrjen “Erdhi ditë e Arbërit”, Shqipëria dhe shqiptarët ishin ende në përgjumje.

“Arbëria e vjetër” ishte e robëruar, kurse në Itali zienin idetë e Rilindjes kombëtare. Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin “Skënderbe”:

“Këmishkuqi ynë me fletë / Skenderbeut tonë i ngjet”.

Këtu tek ju u ruajt gjuha dhe shkrimi. Ju ishit te parët që derguat misione për të rimëkëmbur gjendjen kishtare, historike e kulturore në Shqipërinë e vjeter.

I pari që guxoi t’i shkruante në shqip letra zyrtare Selisë së Shenjtë, ishte arbëreshi monsinjor Zef Skiro i parë. Prej arbëreshëve, prej De Radës, u themelua e para katedër e gjuhës shqipe në histori.

Prej arbëreshëve bota shqiptare u ribë pjesë e botës europiane dhe hyri në veprat e Hygoit, Delakruasë, Aleksandër Dymasê dhe shumë shkrimtarëve të tjerë.

Profesorët tanë të nderuar, akademikët Francesco Altimare dhe Matteo Mandala’, të cilët janë nderi juaj dhe nderi i kombit shqiptar, nuk janë lodhur së kontribuari për promovimin e lidhjeve historike e kulturore dhe urave të bashkëpunimit në dy anët e Adriatikut.

Sa herë që duam të gjurmojmë origjinën dhe trashëgiminë tonë europiane ne i kthehemi botës arbëreshe.

Nga bota arbëreshe kanë dalë emra të mëdhenj, që nga Lekë Matranga e Nikollë Keta deri tek De Rada, Gavril Dara, Zef Skiroi e Zef Serembe, Krispin e Terenc Toçi dhe shumë personalitete të tjera.

Shqipëria i ka gdhendur fort si gurë të çmuar këto personalitet në memorjen dhe identitetin e saj kombëtar.

Shqipëria ka qënë europiane dhe moderne shumë kohë para se të fitonte pavarësinë e saj.

Vitin e ardhshëm kemi 200-vjetorin e lindjes së Francesko Antonio Santorit. Ky është një rast për të evokuar së bashku për një epoke të re të iluminizmit kombëtar, siç ishte ajo e Rilindjes Arbëreshe.

Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për ju. Këtu kam parasysh mbi të gjitha mbështetjen e nismës që trashëgimia arbëreshe, së bashku me bartësit e vet, të regjistrohet në UNESCO. Për fat të mirë edhe autoritetet italiane e duan dhe e çmojnë këtë nismë.

Angazhimin e demonstruam shumë qartë dje me Presidentin Mattarella, i cili ma konfirmoi këtë vullnet dhe dëshirë.

Dua të shpreh një falënderim të përzemërt për Presidentin Mattarella, i cili e pranoi menjëherë ftesën për të vizituar së bashku komunitetin arbëresh, që siç edhe theksoi është një faktor i rëndësishëm i unitetit midis dy vendeve tona.

Ne e konsiderojmë Universitetin e Kalabrisë edhe si një universitet tonin.

Me energjinë e tij të pashterrshme, me mençurinë dhe intelektin dhe dashurinë për dheun e Skëndërbeut, akademiku ynë dhe profesori juaj Francesco Altimari, në gjurmët e Mjeshtrit Francesco Solana – që e donte me zemër Shqipërinë – e ka fuqizuar shumë degën e albanistikës, e ka zgjeruar regjistrimin e kandidatëve duke pranuar studentë të rinj nga gjithë hapësira historike shqiptare, si dhe ka krijuar ekipe akademike të suksesshme, me programe e projekte ambicioze.

Studiuesit shqiptarë i konsiderojnë akademikët Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà jo vetëm si modele të një rruge të re kërkimi shkencor, por dhe si shembëlltyra të bashkësive arbëreshe këtu e në Siçili.

Prandaj ne i adhurojmë ata dhe i çmojmë lart universitetet ku kontribuojnë, si asete të arta intelektuale të tyre.

Shpreh besimin se nga ky universitet do të dalin albanologë të rinj të suksesshëm, studiues të denjë të botës italo-shqiptare, të cilët do të japin një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për fuqizimin e miqësisë së përjetshme mes dy popujve tanë, por mbi të gjitha për progresin dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Ju faleminderit!”

8 nëntor 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here