Wednesday, November 21, 2018

Rruga Shkodër-Muriqan, Rama: Deri dje program grabitjeje e program gallate

126
0

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar për grabitje dhe keqmenaxhim administratën e mëparshme të rrugëve. Gjatë inspektimit të punimeve në aksin rrugor Shkodër Muriqan ai është shprehur se deri dje ka qenë program grabitjeje dhe program gallate.

Me një fond prej 1.5 milionë eurosh  aksi rrugor Shkodër-Murriqan është rindërtuar tërësisht. Kryeministri Edi Rama në inspektimin e punimeve është shprehur se në gjatësinë 12 kilometërsh të aksit rrugor ofrohen të gjitha standardet e kërkuara. Ndërkaq ai ka ironizuar për ndërhyrjet e mëparshme në mirëmbajtjet e rrugëve.

Rama: Deri dje ka qenë program grabitjeje dhe program gallate. Absolutisht s’ka pasur mirëmbajtje rrugësh, por vetëm hidh pluhur sipër dhe ik. Pas kësaj do të jetë shumë më e qartë dhe shumë e lehtë për të vazhduar për të mirëmbajtur mbi këtë bazë, se është ndërtuar me standarde të larta dhe faktikisht është një mirëmbajte e thellë. Ky është rindërtim rruge, nuk është mirëmbajtje, në kuptimin që u hap një gropë dhe u vu një shtresë.

Për Ramën për 30 vite ka munguar konceptimi dhe organizimi dhe jo fondet.

Rama: E vërteta është, që programet e mirëmbajtjes në të gjithë rajonin për një kohë të gjatë kanë qenë dështime spektakolare, ndërkohë që ky program mirëmbajtjeje është program me standarde të larta. Në rrugën Tiranë-Durrës, siç u bë mirëmbajtja, ishte një estradë shumëvjeçare që përsëritej dhe gropat vetëm shtonin gropat. Tani është mirëmbajtje e thellë.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro tha se rruga shkurton gjysmën e kohës që shpenzonin drejtuesit e mjeteve para ndërhyrjes.

Qendro: Është një aks gati 12 km nga Shkodra në Murriqan, i cili i është nënshtruar programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin. Është rehabilitimi i shtresave komplet, sidomos sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, plus veprave të artit, se kjo rrugë ka qenë problem me tubinat, me kanalet anësore, një histori 25-vjecare e pavënë dorë. Ka qenë në gjendje shumë të keqe. Nëse sot përshkohet për 40-45 minuta, për shkak të shpejtësisë së ulët që ka si aks, këtë e bëje për një orë e gjysmë, vetëm nga cilësia që ka pasur rruga.

Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli theksoi se siguria rrugore ka qenë fjala kyçe edhe në këtë projekt. Madje ai ka theksuar se deri më tani në këtë aks ka pasur një regjistër negativ edhe në humbje jetësh.

LEAVE A REPLY