Personat e proceduar për kryerjen e të pakën 30 veprave jo të rënda penale nuk do të përgjohen më në ambiente private dhe as përmes një numri telefoni por përgjimi i tyre nuk ndalohet në ambiente publike. Kështu parashikon një udhëzim që mban firmën e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, për rregullat dhe mënyrën e realizimit të përgjimeve. Udhëzimi bën një ndarje të veprave penale për të cilat lejohet përgjimi si një mjet për të provuar autorët e tyre.

“Përgjimi i komunikimeve elektronike të një personi, të një numri me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike të bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private, lejohet vetëm kur procedohet: Për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vite burg. Për çdo vepër penale me dashje kur kryhet me anë të mjeteve të telekomunikimit ose përdorimit të teknologjive telematike. Për veprat penale të parashikuara nga shkronja ‘a’, paragrafi 1, i nenit 75 a, të këtij Kodi. Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendosjes lejohet vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet burg”, thuhet në udhëzim sipas ”Shqiptarja.com”.

Vendet private-Personat e proceduar për kryerjen e të pakën 30 veprave jo të rënda penale nuk do të përgjohen më në ambiente private dhe as përmes një numri telefoni, por përgjimi i tyre nuk ndalohet në ambiente publike.

Vendet publike-Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendosjes lejohet vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet burg.

Veprat penale të përjashtuara nga përgjimi në ambiente private

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Shkelja e barazisë së shtetasve.
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Korrupsioni aktiv në zgjedhje.
Korrupsioni pasiv në zgjedhje.
Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje.
Vrasja e kryer nga pakujdesia.
Plagosja e rëndë, e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë.
Ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqim të gruas.
Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë.
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës.
Kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi.
Veprimet që lehtësojnë trafikimin
Dhunimi i banesës.
Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit.
Dhunimi i varrezave.
Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura.
Përhapja e sekreteve vetjake.
Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi.
Shtytja e të miturve për të kryer krim,
Dhuna në familje.
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës.
Mosdeklarimi në kufi i parave përtej vlerës së parashikuar nga ligji.
Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
Thirrjet publike për veprime të dhunshme
Goditjet për shkak të detyrës
Kanosja për shkak të detyrës

LEAVE A REPLY