Shqipëria pranoi ftesën dhe mori pjesë në Operacionin e koduar “30 Ditë në Det” kundër krimit të ndotjes detare. Shkeljet e ndotjes detare të zbuluara përfshijnë shkarkimet e paligjshme të vajrave dhe mbeturinave nga anijet, hedhja e paligjshme e mbeturinave në det, shkelja e rregullave të shkarkimeve të anijeve si dhe incidentet e paligjshme të ndotjes në lumenj, në bregdet dhe në vende të tjera në tokë (pranë detit).
Autoritetet në Shqipëri parandaluan një rast ndotje duke siguruar ujërat përreth, ku një mjet peshkimi që po mbytej kishte 500 litra naftë me vete. Më shumë se 58 inspektime u ndërmorën në hapësirën detare të Shqipërisë, gjatë të cilave u kryen 91 kontrolle të mjeteve detare, u kryen më shumë se 135 orë punë, u angazhuan 150 forca dhe 49 mjete lundruese.
Gjatë operacionit janë kontrolluar 104 mjete lundruese për ndotje detare. Gjatë opracionit u konstatua një rast i ndotjes detare në Portin e Durrësit nga një mjet peshkimi i cili u mbyt duke marrë me vete dhe një sasi hidrokarburi (naftë) prej 500 litra. Autoritetet morën masa të menjëhershme për pastrimin e zonës ku u kthye në gjëndjen e mëparshme.
“30 ditë në det” është ndjekur nga një fushatë ndërgjegjësimi globale në bashkëpunim me Agjencinë për Mjedisin të OKB-së, për të treguar ndikimin e madh që ndotja detare ka ndaj sigurisë njerëzore dhe mjedisore si dhe ndaj zhvillimit ekonomik në mbarë botën. Po sipas njoftimit policor, duke filluar nga sot, do të ketë një tjetër fushatë ndërgjegjësimi mbi ndotjen detare.