Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i hedhjes së kapsollës gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, që i shkaktoi dëmtimin e gishtave të dorës efektives së policisë Ina Nuka.

Burime nga prokuroria e Tiranës që po merret me hetimin e akteve të  dhunës në protestë bëjnë me dije se autori është identifikuar pas kqyrjes së pamjeve filmike.

Bëhet fjalë për një 18 vjeçar, ndaj të cilit gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pas kërkesës së organit të akuzës.

Efektivja Ina Nuka pritet të transportohet nga momenti në moment drejt Stambollit ku pritet të marrë dhe mjekimin e specializuar pas dëmtimit që pësoi kur u godit me kapsollë gjatë protestës së 22 nëntorit para parlamentit.

Policja ka humbur dy gishta, një gisht i tretë është prerë deri tek mollëza ndërsa një gisht tjetër ka pak dëmtime.

Të shumtë ishin familjarët që sot i gjendeshin pranë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe vijojnë të jenë të shokuar mbi atë që ndodhi para parlamentit.

Mësohet se Spitali i Traumës ka përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe pritet vetëm sinjali nga pala turke dhe vajza të udhëtojë drejt Stambollit.

LEAVE A REPLY