Kryemadhi: Rama në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik

0
639

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi thotë se kryeministri ndodhet në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik. Në një status në Facebook, ku shpreh mbështetjen ndaj banorëve që preken nga projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe ajo shprehet se asnjë dredhi politike nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta.

Deklarata e Monika Kryemadhit

Edi Rama dhe veglat e tij po mundohen t’u heqin shqiptarëve edhe një nga pak të drejtat që u kanë mbetur, të drejtën e protestës.

Me kërcenime, keqpërdorimin e policisë, me gjuhën vulgare me të cilën iu drejtohet banorëve të Unazës së Re, ai më kot përpiqet të ndalë qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre.

I zhytur në batakun e kriminalitetit, frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë, çdo ditë shpik beteja dhe heronj imagjinarë me synimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen nga protesta, e cila çdo ditë e më shumë gërryen themelet e pushtetit të krimit dhe oligarkëve. Fryma e rebelimit popullor është frika më e madhe e diktatorëve dhe si e tillë ajo e tmerron Edi Ramën, që prej muajsh vetëm menaxhon krizat e deputetëve të tij të inkriminuar dhe të klientëve të tij, që pasurohen me paratë e shqiptarëve.

Kryeministri i krizës, i rraskapitur nga skandalet e njëpasnjëshme tashmë ndodhet në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik. Çdo minute, çdo orë dhe çdo ditë proteste kundër qeverisjes së tij është një tulle më pak në themelet e rrënuara të qeverisë së rilindjes.

Asnjë dredhi politike, asnjë marrëveshje apo pazar i bërë jashtë syve të publikut, asnjë media e blerë apo e shitur, madje as mungesa apo pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta.

Ndaj sot jemi me protestën, jemi me kurajon dhe forcën e atyre banorëve, që kanë 20 ditë që nuk ndalen në kërkesat e tyre, që nuk u blenë dhe as u shitën, madje as nuk u përçanë megjithë përpjekjet e qeverisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here