Sunday, December 16, 2018

Ahmetaj:Ky është buxheti i rritjes ekonomike dhe uljes së borxhit

64
0
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ka dalë mbrëmjen e sotme para mediave për të folur për buxhetin e vitit të ardhshëm të miratuar nga maxhoranca. Ahmetaj theksoi se ky është buxheti më i madh deri tani dhe buxheti i rritjes ekonomike dhe uljes së borxhit publik. Sipas numrit një të financave borxhi publik pritet të shkojë në nivelin 65.5%.

“Buxheti 2019 është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë me 519 miliardë lekë, afërsisht rreth 500 milionë dollarë, i cili i paraprin rritjes ekonomike të 2019, e planifikuar në nivelin 4.2 -4.3 %, pra një rritje ekonomike 4-fish nga gropa e varfërisë, viti 2013, siç e kemi quajtur.

Ky është buxheti i rritjes ekonomike dhe buxheti i uljes së borxhit publik. Vitin tjetër borxhi publik ulet me 3.6 % të PBB dhe shkon në nivelin 65,5 %. Vajtën disa vite radhazi që ulim borxhin publik”, u shpreh Ahmetaj.

Ai tha se u detyruam të ndërmerrnim një rrugë të gjatë të konsolidimit fiskal për të arritur në një balancim të vitit 2018 dhe një konsolidim të mëtejshëm të vitit 2019. Ahmetaj theksoi se me gjithë uljen e borxhit, investimet janë në vlerën e 875 mln dollarëve.

“Megjithëse ulëm borxhin publik, investimet janë 875 mln dollarë, të cilat furnizojnë sektorët kryesorë të ekonomisë, duke u fokusuar tek infrastruktura, bujqësia, arsimi, shëndetësia dhe shumë sektorë të tjerë. Ndërkohë duke mbështetur një rritje të ardhurash”, u shpreh Ministri i Financave.

Ai tha gjithashtu se buxheti financon plotësisht reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat që kemi nisur së bashku dhe që sot po japin frytet e tyre me rritjen e pagave në disa sektorë.

LEAVE A REPLY