Wednesday, April 24, 2024
Home Kronika Studimi: 24 anëtarë të FA të përfshirë në aktivitete kriminale

Studimi: 24 anëtarë të FA të përfshirë në aktivitete kriminale

0
585

Një studim i Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim ka nxjerrë në pah një fenomen të rrezikshëm, me të cilin po përballet vitet e fundit edhe shoqëria shqiptare.

Që nga viti 2011 e deri më tani, rezultojnë 24 anëtarë të Forcave të Armatosura kanë mbështetur aktivitete kriminale ose terroriste. 3 prej tyre janë dënuar për vjedhje armatimi dhe municioni, 5 kanë luftuar përkrah organizatave terroriste si ISIS dhe 16 të tjerë janë përfshirë në aktivitete të rënda kriminale si vrasje, bashkëpunime me krimin e organizuar, trafikim droge dhe grabitje.

Por cilat janë shkaqet thelbësore që i shtyjnë ushtarakët të përfshihen në veprimtari të tilla kriminale. Autori i studimit Redion Qiriazi renditi disa arsye:

Redion Qiriazi: “Nëse një jurist mund të largohet nga një instituticion dhe të përshtatet në një instituticion tjetër, një oficer apo nën oficer këmbësorie që gjithë jetën e tij ka praktikuar artin e përdorimit të armatimit dhe taktika luftarake, nuk mund të përshtatet aq kollaj në tregun e punës.”

Qiriazi thotë se ushtarakët kanë më shumë mundësi të përfshihen në aktivitete të dhunshme për shkak të aftësisë dhe stërvitjes që kanë bërë.

Redion Qiriazi: “Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ushtarakët janë të trajnuar në përdorimin e dhunës dhe kanë një vetëbesim më të madh në realizimin me efekt të këtyre aktiviteteve që ata mund të ndërmarrin.”

Duke marrë parasysh kontekstin shqiptar, studiuesi thotë se një ndikim të madh ka gjendja e keqe ekonomike dhe mungesa e mbështetjes psiko-sociale për këta ish-ushtarakë.

Redion Qiriazi: “Ka të bëjë me vështirësitë ekonomike, stabilitetin financiar të tyre, me neglizhencën instituticionale për angazhimin e tyre, stresin e induktuar që marrin si rrjedhojë e misionit, aq më tepër e profesionit.”

Ushtarakët në rezervë gjithmonë e kanë pasur të vështirë të riintegrohen në shoqëri. Ky fenomen shtrihet në kohë dhe në vende të ndryshme. Një nga pasojat më të njohura të misioneve ushtarake, madje dhe e stërvitjeve ushtarake, është stresi post-traumatik.

Hulumtimet mbështesin teorinë se stresi post-traumatik kontribuon në rritjen e dhunës, rrjedhimisht duke i bërë ushtarakët më të prirur për tu angazhuar në aktivitete të dhunshme, qoftë në shtëpi, komunitet apo edhe jashtë shtetit.

/Ora News.tv/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here