Bashkë me stafin dhe sportistët e tij sot i ka dhuruar Sporklub Vllaznisë dhe Shkodrës Kupën e 23-të të Shqipërisë. Zef Gjoni dhe ekipi i boksit që drejton prej 27 vitesh, ka fituar edhe 22 tituj kampion të vendit. Në total 45 trofe të fituar nga ky ekip nën drejtimin e këtij trajneri por edhe të bashkëpunëtorëve të tij në vite. Si askush tjetër.

Jo më kot, duhet të krenohemi me këtë ekip dhe me këtë trajner, paçka se dje dhe sot, pjestarët e tij kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për ndeshje me paratë e tyre të xhepit!!! Megjithatë sukseset vazhdojnë e vazhdojnë…

Pas më pak se një muaj, Zef Gjoni mbush 72 vjeç. Shumë moshatarë të tij e kanë bezdi të dalin edhe në Pedonalen e Shkodrës por ai në fakt nuk mungon asnjëherë në stërvitje. Nga 365 ditët e një viti, në 300 prej tyre është e sigurtë se ai është në stërvitje. Shumëkush mund ta ketë akuzuar ndoshta se “është modeli i trajnerit të vjetër”.

Në fakt nuk po shohim ndonjë trajner të ri që të punojë me të njëjtin pasion e përkushtim. Zef Gjonit nuk i vjen mirë asnjëherë kur i përmendim moshën. Ai ka dëshirë që të jetë edhe njëherë 52 vjeç sepse dëshiron t’i japë të tjera trofe e suksese Shkodrës së tij.

Atë që nuk arriti ta bëjë vetë në rini si boksier për shkak të ndërprerjes së këtij sporti në fillimin e viteve ’60, atë që nuk arriti ta çonte deri në fund as i vëllai i tij, i ndjeri Ndoc Gjoni, po e bën më së miri tashmë si trajner. Në Shqipëri nëse flet për boks që prej vitit 1991 e deri më sot, ka vetëm një emër të cilit mund t’i referohesh: Zef Gjoni.

Suksese të shumta me Vllazninë por edhe me kombëtaren shqiptare, teksa i ka dhënë vendit tonë edhe disa medalje në arënën ndërkombëtare, ndonëse me shumë pak mbështetje. Shkodra sidomos i detyrohet shumë këtij njeriu. Me Kupën e fituar sot, e ka çuar në 45 numrin e trofeve që i ka dhuruar këtij qyteti dhe Klubit Vllaznia.

Një shifër që vështirë se do të arrihet nga ndonjë tjetër. Megjithatë profesor Zefi nuk e ka ndër mend të ndalojë këtu. Me siguri që nga 3 janari i vitit që vjen do të jetë sërish në palestër, me plane dhe projekte të reja.

Boksi shqiptar duhet të flasë vetëm me gjuhën e shkodranëve dhe emrin e Vllaznisë. Dhe kështu do të ndodhë me shumë siguri derisa Zef Gjoni të jetë gjallë.

Epoka pas tij, me siguri që nuk ka për të qenë e tillë, por nuk duhet të mendojmë për të sepse pikësëpari nuk e dimë edhe sa do të zgjasë “epoka e Zef Gjonit”. Ambicjet e tij janë edhe për shumë vite dhe shumë trofe të tjerë…

LEAVE A REPLY