Mehmetaj: Të rinjtë s’mund të mbeten të pashkolluar për shkak të pamundësisë ekonomike

0
561

Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, në takimin me strukturat e LSI vuri theksin në problemet që kanë ngritur studentët në gjithë vendin. Ajo u shpreh se kërkesat e tyre janë të drejta dhe qeveria nuk duhet të përdorë më asnjë justifikim, por vetëm ti plotësojë ato.

Fjalimi i plotë i Kejdi Mehmetaj:

Më lejoni në radhë të parë të falënderoj secilin prej jush për këtë angazhim në prag të ndërrimit të viteve. Dhe ju falënderoj mbi të gjitha për seriozitetin që tregoni mbi punën që keni marrë përsipër, ashtu siç tha edhe kryetarja, duke drejtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim këtu në Bashkinë e Fierit, por pse jo edhe në të gjithë ish rrethin e Fierit.

Në fakt unë nuk do të zgjatem, do të flas shumë shkurt. Siç e thashë jemi në prag të festave dhe nuk dua të marr shumë nga koha juaj. Por si një vajzë që kam lindur dhe jam rritur në Fier, di të them që Fieri ka qenë gjithmonë një qytet shumë intelektual, me burra e gra profesionistë  shumë të zotë, me vajza e djem që janë rritur me ëndrra për familjet e tyre dhe për të ardhmen. E vërtetë ka qenë që është një qytet që e kanë dashur të majtën, kanë qenë socialistë, por kanë qenë socialistë me nder dhe me lavdi.

Por ka qenë një qytet që ka pasur një ekonomi të fortë dhe që ka prodhuar. Një qytet që ka qenë gjithmonë i zhvilluar. Dhe sot që vij në Fier dhe takohem me ju e dëgjoj nga ju që ky vit, ose më saktë këto 2 vitet e fundit, kanë qenë shumë të vështira për Fierin. Ndihem realisht shumë e keqardhur. Ndihem shumë e keqardhur kur dëgjoj nga ju që flisni sesi Fieri është kapur peng nga një grusht shumë i vogël njerëzisht, të cilët po i pinë gjakun këtij qyteti. Të cilët nuk po iu lënë duke ardhur në shtëpitë tuaja të jetoni të qetë. Duke kthyer tek ju një frikë që ishte harruar që prej kohës së komunizmit, kur bëhej lufta e tmerrshme e klasave,  një luftë që unë mendoj se Fieri nuk e ka ndjerë aq shumë atëherë saç po e ndjen tani.

Dhe për këtë arsye mendoj që angazhimi i secilit prej nesh, por mbi të gjitha i zonjave, i vajzave dhe i djemve të rinj duhet të jetë maksimal, sepse ne nuk mund të lejojmë një grup shumë të vogël njerëzish që nuk e përfaqësojnë as Fierin dhe as fierakët. Ta kthejnë Fierin mbrapa, ta bëjnë këtë vend të varfër, ta lënë këtë vend të pazhvilluar dhe në mëshirë të fatit. Ne nuk mund të lejojmë që bizneset tuaja  të mbyllen sepse nuk plotësohen kërkesat dhe interesat e një grupi të caktuar që po drejton tani Fierin.

Ne nuk mund të  lejojmë që për shkak të përkatësisë politike njerëzit tuaj të diskriminohen a thua si me qenë kulakët e viteve 50. Ne nuk mund të lejojmë që të rinjtë e Fierit të ngelen të pa shkolluar, të marrin një shërbim jo dinjitoz, vetëm e vetëm sepse në Fier kanë ardhur ata që vetëm duan ta shfrytëzojnë dhe të përfitojnë prej Fierit. Në këtë vend që ka qenë gjithmonë shembulli i një ekonomie të fortë, që më besoni e ka pasur zili e gjithë Shqipëria për të ardhurat që ka pasur, ndjej keqardhje kur dëgjoj shumë bashkëmoshatarë të mitë që mendjen e kanë të ikin dhe të mos kthehen më.

Kështu që unë e para me dëshirën për ta parë Fierin ashtu të fortë siç ka qenë, pse jo edhe shumë më të zhvilluar. Për të parë këtu një universitet, për të parë këtu uzinat që hapën, për të parë këtu bujqësinë që zhvillohet. Do të jem e para me ju që do të luftoj për vajzat dhe për djemtë e Fierit. Dhe shpresoj që bashkë me ju sepse e di që keni kurajo të madhe që keni ardhur sot, bashkë me ju të bëjmë një punë shumë të mirë për Fierin. Por puna nuk bëhet duke ndenjur në shtëpi, nuk bëhet as nga kafja duke thënë se si janë të vërtetat. Por bëhet duke dalë aty në ballë, në rrugët e qytetit, duke mos pasur frikë për të folur me këdo. Sepse kushdo që mendon se mund të na mbysë ne me frikë, ta dijë që guximi dhe kurajoja jonë do ta mbysë atë dhe nuk do ta lërë që të ngrejë kokë më këtu në Fier.

Kështu që unë ju kërkoj më shpirt e me zemër që nga ky moment të marrë secili një angazhim personal. Zonjat të cilat e kanë më kollaj për të hyrë e për të folur në shtëpitë e njëra tjetrës, dhe që i takon të jenë të parat në këtë luftë të re që do të fillojmë këtu në Fier. Vajzat dhe djemtë e rinj të Fierit të cilët e duan këtë vend shumë dhe pastaj padyshim krahu ynë i fortë, zotërinjtë, shtylla e familjes shqiptare.

Kështu që unë nuk do të zgjatem, do ju falënderoj edhe njëherë për angazhimin tuaj. Ju uroj nga zemra një vit të ri të mbarë dhe të begatë. Dhe ju uroj që këtë vit të ri secili brenda vetes të gjejë guxim, të gjejë kurajo, të ngrejë kokën lart dhe të fillojë të luftojë për veten, për familjen dhe për Fierin. Sepse Fieri na ka dhënë shumë, tani është koha jonë që t’i kthejmë këtë dinjitet që ja kanë marrë. Ju falënderoj dhe do të shihemi në ditët në vazhdim, për të bërë një plan konkret pune dhe për të bërë atë që kryetarja na ftoi të gjithëve. Të harrojmë jo përkatësinë tonë politike, por çdo gjë tjetër që na ndan. Dhe të bashkohemi si shqiptarë për të mirën e këtij vendi që po i largohet edhe fryma edhe shpresa. Është në dinjitetin tonë kështu që forca, dhe faleminderit edhe njëherë për angazhimin tuaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here