Mashtrim fiskal mbi 8 milionë euro e mbi 10 milionë euro pasuri të paligjshme janë vënë nën sekuestrimin e autoriteteve të drejtësisë italiane pas ekzekutimit të fazës finale të operacionit “Crazy ëater” i cili ka shkatërruar një grup kriminal italo-shqiptarë me aktivitet në territorin e provincës së Bergamos.
Faza finale e këtij operacioni ka çuar sot në arrestimin e 3 shtetasve italianë me precedent penal, ndërsa në shtator të 2018 janë ekzekutuar 13 urdhra arrestimi ndaj shtetasve italianë e shqiptarë, 6 prej të cilëve janë vënë në pranga.
Hetimet e Policisë financiare italiane kanë zbardhur një organizim kriminal ku merrnin pjesë shqiptarë e italianë nga rajoni i Kampanjës, me aktivitet në trafik lëndësh narkotike, zhvatje, grabitje të dhunshme, armëmbajtje pa leje.
Gjatë operacioni janë sekuestruar 4 armë klandestine me numër regjistri të fshirë, një silenciator, 88 fishekë, para të thata e ora dore Rolex me vlerë mbi 65 mijë euro.
Paratë e fituar nga aktiviteti i paligjshëm ishin investuar në biznese të hapura në provincën e Bergamos e Napolit.
Përgjimet telefonike e ambientale kanë zbardhur se përmes dy kompanive të transportit të mallrave, të menaxhuara nga të arrestuarit por në pronësi të “emrave fallco (prestanomi)”, ky grupim kriminal kishte mbledhur borxhe tatimore në vlerë mbi 8 milionë euro, të cilat kompensoheshin me kredi të rreme nën fatura fiskale jo ekzistuese.
Paratë e pista ishin investuar gjithashtu në një restorant mjaft luksoz e i njohur në qytetin e Bergamos, i cili është vënë nën sekuestro.
Nën sekuestro janë vënë dhe disa automjete, një motor, një motor uji, disa llogari bankare e një pasuri e patundshme me vlerë të përgjithshme mbi 10 milionë euro.