“Our World in Data”, ka publikuar shifrën e të huajve që jetojnë në Shqipëri. Janë rreth 57,616 mijë të huaj që jetojnë në Shqipëri, ku prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune. Prej vitit 2010 numri i të huajve në Shqipëri ka qenë në rritje. Në vitin 2010 sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.
Sipas revistës “Monitor”, ndër arsyet kryesore të tërheqjes së të huajve në Shqipëri është kosto e lirë e jetesës. Për sa i përket lejeve të punës, italianët kanë numrin më të lartë. Së fundi Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar edhe për studentët italianë. Popullsia e dytë është ajo turke, pasur më pas nga kinezët. Edhe shqiptarët e Kosovës përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të emigrantëve në Shqipëri. Megjithatë numri i tyre në raport me vite më parë është më i ulët.
Në vitin 2000, për shkak se në Kosovë vijonin trazirat e pas luftës për shkëputjen nga Serbia, shumë shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri. Prandaj viti 2000 shënon rekord të numrit të të huajve me rreth 77 mijë të huaj. Në rajon Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët emigrantësh. Numrin më të madhe e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë të huaj. Bosnje Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë. Në botë rekordin për numrin më të lartë të të huajve e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 46.6 milionë emigrantë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndjekur prej vitesh politika për tërheqjen e forcës punëtore në vend, megjithatë së fundmi presidenca e Donald Trump po i shtrëngon ato. Një nga premtimet elektorale të Trump ishte ndërtimi i një muri në kufirin ndarës me Meksikën për të ndaluar emigracionin e paligjshëm.
Amerikano Latinët kanë përqindjen më të lartë të emigrantëve në SHBA. Në një kohë kur shqiptarët kanë shënuar rekord me kërkesat e azilit në Francë, Shqipëri po shihet si shpëtim nga lufta. Janë sirianët që i shpëtojnë luftës. Një pjesë e tyre kalojnë nëpër Shqipëri dhe si destinacion kanë vendet e BE-së. Shqipëria raportoi rritjen e numrit të aplikimeve për azil. Krahasuar me 307 kërkesat në 2017-ën, deri në gusht të këtij viti u shënuan 3000 aplikime. Informacioni bëhet i ditur nga përfaqësuesi i UNHCR-së, Pablo Zapata. Mijëra refugjatë nga Siria kanë vërshuar në Shqipëri.
Një burim pranë BE-së në Tiranë, e quajti fenomenin si abuzim të sistemit të azilit, ndërsa ministria e Brendshme thotë se nuk ka më shumë se 500 azilkërkues të vërtetë, aplikimet e të cilëve po shqyrtohen. Autoritetet shqiptare frikësohen se politikat e shtrënguara europiane për fluksin e refugjatëve, do sjellë paqartësi të pafund për ata që aktualisht ndodhen në vend.