Po kërkoni një apartament? Disa këshilla se si të mos mashtroheni nga agjentet imobilar

0
792

Mungesa e një tregu të mirëstruktruar imobiliar në Shqipëri dhe një baze ligjore të mirëfilltë që rregullon këtë treg bën që persona të ndryshëm pa formimin e duhur t’a shohin atë si një mënyrë e mirë për të bërë ca lekë shpejt e shpejt deri sa të gjejnë një rrugëdalje tjetër për jetën e tyre.

Kjo i bën këta persona, tashmë me emrin “agjentë imobiliarë” dhe reklama plot shkëlqim të agjencive që mbajnë nga pas teksa pozojnë me duart e kryqëzuara që ta shohin të gjithë këtë histori si një periudhë kalimtare duke mos e vrarë shumë mendjen për dëmet që shkaktojnë.

Mjafton që të shesin!

Përtej reklamave dhe fjalëve të ëmbla, i ashtuquatur “agjent imobiliar:, qoftë ky edhe nën emrin e agjencive me emër në vend nuk është aty për t’ju gjetur juve shtëpi. Është aty për të siguruar rrogën mujore të veten dhe ca fitime për punëdhënësin.

Ata janë të gatshëm që t’ju shesin një apartament me pamje nga veriu, me ndonjë super kolonë 1 metër katror në mes duke e reklamuar si një super okazion.

Ti që nuk ke eksperiencë në këtë punë, sepse në fund të fundit nuk blen shtëpi çdo ditë, mund të biesh pre dhe të hedhesh ca para kot, për të cilat do të pendohesh shumë shpejt, ndërsa agjenti imobiliar ka marrë 1 për qindshin tënd që në çmimet e partamenteve sot varion nga 500 deri më shumë se 1 mijë euro si edhe 2-3 për qindshin nga pronari dhe e jeton ditën apo muajin i lumtur.

Nuk janë të pakët ata që janë nisur për të blerë banesë përmes agjencive imobiliaredhe kanë mbetur të zhgënjyer minimalisht ose edhe janë mashtruar.

Më poshtë ju radhisim disa këshilla se çfarë duhet patur parasysh teksa kërkon për një apartament:

Vini në dyshim dhe verifikoni personalisht nga burime alternative çdo gjë që thotë agjent imobiliar. Në botë ky shërbim ofrohet pasi janë kryer një mori trajnimesh dhe mbahet përgjegjësi, kurse këtu emrin “agjent imobiliar” mund ta marrë çdo i papunë që ngrihet në mëngjes me idenë se si mund të bëjë ca para.

Kini parasysh se apartamentin që ju po kërkoni mund ta gjeni të listuar në disa agjenci imobiliare. Ti mund të biesh dakord për blerjen e një apartamenti dhe kur ke kopsitur të gjitha dokumentet, përballesh me zhgënjimin por edhe arsyetimin bosh se diçka e papritur ka ndodhur. Ty të duhet apartamenti dhe jo justifikimet e tij.

Nëse gjeni kohë, mbathni këmbët dhe pyesni vetë paraprakisht në zonat ku jeni të interesuar për të blerë një apartament. Kontakti direkt me shitësin ju jep mundësinë që të negocioni me të dhe të gjeni një çmim më të përshtatshëm.

Në sytë e agjentit imobiliar je një “500 eurosh” që merr frymë dhe ecën.Kaq! Duhet të dish që je thjesht numër dhe askush nuk i di dhe s’do t’i marrë parasysh shijet, pecifikat e tua familjare apo mundësitë financiare. Vepro duke e patur parasysh këtë fakt.

Përpiqu të kontaktosh direkt me pronarin e shtëpisë si edhe të pyesësh nga të tjerë se sa është çmimi mesatar për metër katror në zonën ke gjetur apartamentin. Ka mjaft të ashtuquajtur agjent imobiliar që përpiqen të përfitojnë duke rritur abuzivisht çmimin e apartamentit nga çmimi që ka vendosur ta shesë pronari me qëllim që të përfitojnë maksimalisht prej djersës tënde.

Hidhi një sy platformave të njoftimeve të ndryshme për shitje apartamentesh. Ka shumë shanse që të njëjtin apartament ta gjesh në agjenci të ndryshme me çmime të ndryshme.

Shikoni historikun e apartamentit të listuar. Aty mund të ketë ndryshime çmimesh por edhe data kur është listuar. Nëse ka kohë të gjatë aty dhe ende nuk është shitur, negocioni fort për çmimin por edhe verifikoninëse ka probleme ligjore. Dikush apo disa të tjerë para teje mund t’i kenë lenë në mes procedurat e blerjes për shkak të këtyre problemeve.

-Mos bjer pre e çmimeve “anomalisht të ulta”. Ka pak shanse që një pronë të shitet 100-200 euro nën çmimin mesatar të zonës pa patur ndonjë cen. Nuk je ti fatlumi që i ra bingoja papritur. Kështu që jo gjithnjë ofertat me xixa dhe të super reklamuara mund të jenë zgjidhja ideale për ju. Nuk ka pronarë të çmendur që të shesin pronën e tyre nën çmimin e tregut pa patur një arsye madhore.

-Gjej një noter të besuar që të verifikojë paraprakisht gjendjen ligjore të pronës. Ka shumë raste kur pronat janë lënë si kolateral për kredi dhe nxirren në shitje nga pronarët. Kjo nuk është situatë për t’u alarmuar, por është një ngërç që duhet ta zgjidhesh me pronarin e apartamentit në mënyrë që transaksioni të jetë sa më i lehtë.

Nëse je me kredi, sidomos me kredi të butë nga bashkia, qartëso që në fillim se sa do të deklarohet çmimi i shitjes së apartamentit në kontratë.Nëse të “fusin në valle” të detyrojnë ta hedhesh deri në fund pastaj sipas ritmit të tyre.

Ka mjaft pronarë që duan t’i shmangen tatimit duke këmbëngulur në deklarimin e një çmimi më të ulët se sa ai që ta shet në të vërtetë. Mos harro: Ti mund të biesh dakord për një çmim më të ulët, por duhet të kesh parasysh që po transferon detyrimin e tij mbi veten nëse do ta shesësh sërish apartamentin në një të ardhme pa i bërë rivlerësim.

Nëse do të marresh kredi, domosdoshmërisht negocio me bankat. Mos bëj gabimin të ngulesh në vetëm një bankë dhe të marrësh të mireqëna çfarë të thotë agjenti i tyre i kredisë.

Banka ka kriteret dhe kushtet standarde të lëshimit të një kredie si edhe për normat e interesit apo shpenzimet administrative, por nëse negocion fort mund të shpëtosh ca euro të mira me të cilat të mund të mbulosh disa kosto të tjera, siç mund të jetë ato noteriale. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here