Lleshi pritet nga homologu turk Soylu

0
575

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshi është pritur me ceremoni zyrtare nga homologu turk në Ankara, Süleyman Soylu. Në kuadër të pritjes në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme të Turqisë, Lleshi firmosi librin e nderit, ndërsa më pas u kalua në takimin dypalësh. Ministri turk Soylu para takimit bëri të ditur se temë e takimit do të jenë problemet e sigurisë në rajon, por edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë në mes të dy vendeve.

Duke vënë theksin mbi marrëdhëniet e lashta midis Turqisë dhe Shqipërisë, Soylu tha: “Shpresoj të përfitojmë nga përvoja e njëri-tjetrit dhe t’i vlerësojmë hapat që do t’i hedhim së bashku veçanërisht në fushën e sigurisë, rasteve kriminale, të sigurisë, por edhe kundër FETO-s dhe terrorizmit. Po ashtu, lidhur me rajonin tonë, kemi tema të cilat do t’i diskutojmë dhe vlerësojmë, duke filluar nga migrimi i parregullt e deri te lufta kundër lëndëve narkotike”.

Soylu ftoi Lleshin të marrë pjesë në një takim në Stamboll më 19-21 shkurt në kuadër të forumit konsultativ “Procesi i Budapestit” i cili synon zhvillimin e sistemeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për migrimin e rregullt. Nga ana tjetër, ministri shqiptar Lleshi tha se është kënaqësi që vizitën e parë zyrtare e bën në Turqi.

Ai i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve dhe vuri theksin mbi rëndësinë e të ardhmes së këtyre marrëdhënieve. “Interesat tona në fushën e sigurisë janë shumë të mëdha, të përbashkëta, edhe si vende aleate në NATO, edhe si vende që kemi përgjegjësi për rajonin ku jetojmë”, deklaroi ministri Lleshi.

“Sigurisht që pres me kënaqësi që në takimin mes dy delegacioneve të diskutojmë në hollësi temat të cilat ju i përmendët, temat që kanë të bëjnë me sigurinë, luftën kundër terrorizmit, luftën kundër emigracionit të paligjshëm, veçanërisht luftën kundër drogave dhe trafikimit të tyre, arsimimin, shkëmbimin e përvojave midis policive tona”, theksoi Llesi, duke shprehur bindje se rezultatet e bisedave që do të zhvillojnë do të jenë shumë pozitive. /Anadolu Agency (AA)/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here