Vllaznia po mendon që tani për Superligën, pasi nuk duhet të jetë kalimtare në atë kategori. Një mendim i tillë shprehet nga vetë drejtori sportiv i klubit shkodran, Engin Firat, ku i ftuar në emisionin “Fair Play” tha:

“Synimi jonë është të jemi Vllaznia e vjetër dhe jo kjo Vllaznia e viteve të fundit. Po punoj në këto momente pikërisht për Superligën, sepse nuk duhet të jemi kalimtarë aty. Sezonin tjetër do të mundohemi të jemi rivalizues me ekipet pretendente dhe për të synuar Europën. Prandaj jam i detyruar dhe njëkohësisht e bëj me dëshirë ndjekjen e të gjitha ndeshjeve të Superligës së sivjetme, gjithashtu duke parë edhe lojtarët që mund të jenë të përshtatshëm për skuadrën tonë.”

Akademia Vllaznia ka arritur suksese në vitet e fundit, vecanarisht ajo U-19, por përsëri nuk mjafton për ekipin e parë. Sipas Firat më shumë vlejnë elementët cilësorë që dalin për skuadrën e parë sesa trofetë e fituar.

”Shoh që produkti i dalë nga Akademitë në Shqipëri nuk është aq produktiv sa duhet. Ju keni 1 milionë shqiptarë që janë në Greqi dhe Itali si dhe 1 milionë shqiptarë që janë këtu. Si ka mundësi që produkti i cili vjen nga këto dy vende për ekipet kombëtare është më i mirë se ai që rritet në Shqipëri? Akademitë këtu të gjitha synojnë tek rezultati dhe jo tek performanca. Marrim shembullin e trajnerit të kombëtares U17 i cili është një shkodran (Elvin Beqiri), ai ka marrë në ekip disa lojtarë nga Vllaznia dhe jo të gjithë, çka do të thotë se nuk sheh shumë lojtarë cilësorë aty. Për mua nuk vlejnë trofetë e fituara, por sa elementë cilësorë do nxjerrim.”

LEAVE A REPLY