Teksa në vendin tonë e gjithë vëmendja ditët e fundit ka qenë e fokusuar tek ngjarja e rëndë e Kavajës, një tjetër shifër shqetësuese ka dalë kësaj rradhe nga UNESCO në lidhje me dhunën në shkolla dhe bullizmin tek fëmijët. Një raport tregon se rreth 20 % e fëmijëve kanë përjetuar dhunë dhe bullizëm. Ndërsa, sociologu Gëzim Tushi thotë se bullizimi ka pasoja të rrezikshme, të cilat çojnë edhe në vetëvrasje.
Në Shqipëri, rreth 20 % e nxënësve kanë raportuar se janë dhunuar apo përjetuar bullizëm.
E dhëna bëhet e ditur nga raporti më i fundit i UNESCO-s për Shqipërinë në të cilin raportohet situata e dhunës dhe bullizmit në shkollat shqiptare.
Shifrat janë të larta te 11 vjeçarët, ku sipas raportit rreth 23.8 % kanë pranuar se kanë përjetuar bullizmin apo dhunën në shkollë në një nga format e tij, ndërsa te 13 vjeçarët ky raport është 20 %.
Te nxënësit e moshës 15 vjeç personat që kanë dëshmuar se kanë përjetuar dhunë është 16.1 %.
Për sociologun, Gëzim Tushi, vëmendja ndaj fenomenit të bullizmit në shkolla duhet të jetë edhe më e madhe, pasi pasojat e tij janë shumë të rrezikshme.
Gëzim Tushi: Kanë nuanca të depresionit, këto dukuri janë të rrezikshme. Në shumë raste, sidomos tek adoleshentët ka pasur momente që ka çuar në vetëvrasje.
Sipas sociologut Tushi, shkolla dhe familja mbajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër bullizmit.
Gëzim Tushi: Duhet të bëjnë përpjekjet e tyre për të dalluar bullistet dhe për të dalluar viktimat e bullizmit dhe të ndërhyjnë për të rregulluar këto marrëdhënie që fillojnë si shaka, por më pas bëhen të rrezikshme.
Evropa është ndër rajonet me përqindjen më të ulët të prevalencës së nxënësve që kanë përjetuar dhunë në shkolla me 25 %.
Ndërsa në Amerikën e Veriut, nxënësit që kanë kaluar bullizëm janë 31.7 %.