Thursday, August 13, 2020

Protesta për universitetin, Mark Marku: Një rezistencë e gjatë deri në ndryshimet e duhura

240
0

Pedagogu i gazetarisë, Mark Marku i ftuar në studion e Ora News, tha se protesta e pedagogëve do të vazhdojë në forma të ndryshme derisa të zgjidhen çështjet e ngritura. Ai tha se edhe premtimi i qeverisë për uljen e tarifave nuk është realizuar ende, ndërsa e konsideron të padrejtë që studentët e masterit të mos përfitojnë.

Marku: “Është një çështje e gjatë dhe nuk e shikojmë si diçka emocionale apo se do ta bëjmë me revolucion. Ne kemi reaguar deri më tani, do të vazhdojmë të reagojmë. Nuk është një gjë që ndalon për shkak se nuk realizohet. Ne mendojmë një rezistencë të gjatë. Komunikim i vazhdueshëm me opinionin publik dhe me aktorët universitarë, derisa të arrijmë në një pikë ku palët do t’i nënshtrohen një logjike elementare ku ulen dhe diskutojnë për të bërë ndryshimet e duhura”. 

Xhoi Malësia: Keni parë një përgjigje nga ana e qeverisë?

Marku: “Në raport me studentët ka pasur në rastin e tarifave por edhe ajo është pak e diskutueshme. Nuk është finalizuar dhe jemi akoma në kuadrin e premtimeve. Studentët e masterit nuk kanë përfituar fare dhe kjo është krejt e padrejtë. Sistemi ynë universitare nënkupton dy nivelet. Duhet të trajtohen njëlloj sepse nuk quhet shkolla e mbaruar kur ke mbaruar vetëm bachelor-in.” 

Marku tha gjithashtu se nga 6 asamble që ka në universitetin e Tiranës, 4 prej tyre kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë.

Marku: “Katër asambletë kanë kërkuar shprehjen e vullnetit të qeverisë për të shfuqizuar apo për të përmirësuar ligjin. Ligji në koncept është i gabuar. Modeli i universitetit publik që projektohet aty është i gabuar. Universiteti publik shkon drejt formës së universiteteve private që ka shkaktuar rritjen e tarifave. E parë duhen shikuar problemet që ka krijuar ligjin. Qeveria duhet të shprehë vullnetin që është gati të punojë për rishikimin e ligjit”. 

LEAVE A REPLY