Në fund të Luftës së Dytë Botërore ai u bë pjesë e grupimit anti-komunist “Lidhja e Shkodrës”, e organizuar më 13 maj 1944 që drejtohej nga Kolonel Mulo Bajraktari. Pjesë e mbledhjes ishin edhe Ndoc Çoba, Çun Jonuzi e Ramadan Reçi.

Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944 një batalion partizanësh shqiptarë kaloi Rapshën e Hotit dhe po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit. Ideja ishte marrja nën kontroll e këtyre zonave që nuk e kishin përqafuar ende komunizmin. Përballja e parë ishte e ashpër dhe forcat partizane u thyen duke lënë edhe shumë të vrarë.

Kjo bëri që në ndihmë të forcave partizane të shkonte vetë Mehmet Shehu me Brigadën e Parë. Në 1 janar Mehmet Shehu e përgjaku Kelmendin duke vrarë edhe civilë. Goditja e parë u bë më 15 janar. Prek Cali ishte rrethuar me 15 burra në shpellë në Vukël. I mbetur pa ushqime ai u dorëzua 10 ditë më pas. Marrëveshja ishte që ata të lëshonin armët nëse vinte Frati i Vuklit dhe kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshin, por komunistët nuk e mbajtën fjalën.

Përballja me Mehmet Shehun

Thuhet se Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin:

– E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?

– Zotni, – iu përgjigj Prekë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.”

Gjyqi ushtarak e dënoi me pushkatim bashkë me disa nga luftëtarët e tij. Një pjesë morri burgime të përjetshme dhe të tjerë me 30 vite burg.

Në momentin, që do ta ekzekutonin toga e zezë kërkoi që të dënuarit me pushkatim të kthehen me shpinë dhe t’ua mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë fjalët: “ – Nuk shkohet n’Parajsë me shpin dhe me sy t’mbyllun”

 

LEAVE A REPLY