Gjyqi per Kercenimin e Ernest Gjokes

0
634

Ndërsa një tjetër trajner i Vllaznisë është gjendur nën presione gjatë ushtrimit të detyrës së tij, e madje duke e detyruar Agim Canaj të mso zhvillojë seancën stërvitore, paradoksalisht në gjykatën e shkallës së parë Shkoder u zhvillua një tjetër gjyq për dhunën ndaj ish trajnerit Ernest Gjoka. Përpara trupës gjykuese doli shtetasi Nehat Fojleta i akuzuar për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë ndaj ish-trajnerit Gjoka, si dhe shtetasi Sehar Xhenje i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Si dëshmitar në këtë ngjarje të një viti më parë, në gjyq nën masa të larta sigurie mbërriti edhe Asmer Bilali i gjendur nën masën “arrest me burg”.Duke qenë se ai e ka vëllain e sëmurë, në sallën e gjyqit dëshmoi se një mjet që ka patur në përdorim ia ka lënë shokut të tij Sehar Xhenje për t’i kryer nevojat familjare. Nga ana tjetër shtetasi Sehar Xhenje mohoi në sallën e gjyqit se ka patur dijeni për goditjen e ish-trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Ai tha se thjesht ka shoqëruar shokun e tij Nehat Fojleta tek fusha sportive “Reshit Rusi” pasi ia ka kërkuar një gjë të tillë. Vetë Fojleta mohoi akuzat ndaj tij dhe pretendon se duke dalë nga fusha sportive i është drejtuar ish-trajnerit të Vllaznisë duke i thënë se “po na e fundos Vllazninë” dhe pas kësaj shprehje sipas të dyshuarit, Ernest Gjoka e ka fyer dhe e ka sharë rëndë atë. Në këtë moment Fojleta i ndjerë i fyer pranon se e ka goditur Gjokën. Prokuroria nga ana e saj pretendon se shtetasi Nehat Fojleta ka shkuar me qëllim për ta vrarë ish-trajnerin, duke qenë se sipas organit të akuzës Fojleta ka nxjerrë një thikë për ta goditur. Këto pretendime i dyshuari Fojleta i ka hedhur poshtë duke thënë se ka qenë thjesht një konflikt i çastit pas fyerjes ndaj tij. Edhe i dyshuari si bashkëpunëtor Sehar Xhenje shprehet se nuk ka patur asnjë dijeni se çfarë do të ndodhte. Në fund të kësaj seance dëshmitari Asmer Bilali iu drejtua gjykatës duke i thënë: “Se eshte turp te mbahen dy djem për një shpullë?!” Pala mbrojtëse kërkoi për shtetasin Nehat Fojleta gjykim të shkurtuar si dhe të ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë në “goditje për shkak të detyrës”. Nga ana e tij ish-trajneri Ernest Gjoka në seancën paraprake ka deklaruar se “i kam falur dy djemtë, dhe mund të lihen të lirë”. Në seancat e radhës gjyqësore pritet që të mësohet se cili do të jetë dënimi që prokuroria do të kërkojë ndaj këtyre shtetasve dhe qendrimi që do të mbajë trupa gjykuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here