Eleni Karamitri (Caushi)
Shqiptarë në liri –
Diaspora shqiptare në Amerikë. (Studime letrare, dëshmi, bibliografi)

Botimi i librit Shqiptarë në liri -Diaspora shqiptare në Amerikë, studime letrare, dëshmi, bibliografi, me autore Eleni Karamitri, (2017) ofron hapësira studimi më të thelluara për Autorët e diasporës, pjesë e ndjeshme në letrat shqipe e historisë së emigracionit shqiptar.Në këtë rrugëtim për të njohur më mirë shqiptarët e mërguar, e kryesisht shqiptarët e Amerikës të brezit të shkuar, që bënë histori në atë kontinent të largët, ky botim në vazhdim për Zërat nga Diaspora, (pas botimit të vitit 2005, E.K.), sjell të dhëna të reja dhe dëshmi të panjohura më parë, për të plotësuar pjesë të zbrazëtisë në këtë historik. Bibliografia e pasur, ofron mundësi të pakufizuara njohjeje e studimi në shumë fusha studimi, pa u çliruar nga arsyetimi se, dokumenti mbetet zemra që rreh për çdo vërtetësi e tregues domethënës. Në ngjashmërinë mes përzgjedhjes së temave, mënyrës filozofike të konceptimit dhe metodologjisë së trajtimit të tyre, autorët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, nxitur nga pasioni dhe humanizmi që i karakterizon, japin dhe marrin përmes interkomunikimit mbresëlenës, përjetues në lidhjet shpirtërore, dallues për nga ndjeshmëria dhe përmasat. Mes tyre, lidhjet përkojnë me shqetësimet për probleme të kulturës shqiptare dhe po aq fort, me nocionet konceptuese të trajtimit të temave të atdhedashurisë, që janë motiv jetik për shqiptarët kudo qofshin, larg ose pranë Shqipërisë. Në këtë kontekst, Zërat nga Diaspora, ”njësohen” me Zërat brenda trojeve shqiptare, duke sjellë trajtime reale të situatave historike e të sotme,

Kam marrë librin e fundit të Prof. Eleni Karamitri, “Shqiptarë në liri -Diaspora shqiptare në Amerikë ”, studime letrare, dëshmi, bibliografi dhe ju falenderoj përzemërsisht. Ky shërbim që ajo sjell për lexuesët shqitarë, ka nji vlerë të veçantë e kryesisht për faktin se po nxjerrë në dritë të dhana që i kishte mbulue balta për dekada të gjata. Kjo meritë do të njihet për autoren për shumë dekada. Kurse prej atyne “që përfituen” si unë, emni i saj do të mbetet nji nga kujtimet ma me vlerë, dhe ma i afërm.
Mosha ecën e unë po plakem, por nuk jam i dëshpruem. Kam ba nji jetë shumë të vështirë dhe shumë të kandeshme njikohësisht. Fitorja ime, mendoj unë, asht se nuk i kam lejue vetes me urrejtë. Me kundërshtue po, me urrejtë jo! Kjo ka mundesue ushqimin e frymës humaniste në mbrendinë time, dhe pa dyshim dashurinë për të vetmen racë njerëzore, pa dallim, pa përjashtim. Dëshiroj të ndigjoj vetëm lajme të mira nga ju dhe për gjithë shqiptarët.

Sami Repishti

Me këtë vepër kushtuar Autorëve Shqiptarë të Diasporës, Eleni Karamitri (Caushi) e konfirmon veten si një njohëse e mirë dhe studiuese e apasionuar e diasporës shqiptare në Amerikë, duke i njohur mirë si ngjarjet ashtu edhe personalitete, autorë e atdhetarë, që kanë vepruar dhe punuar brenda saj. Dashuri e mirënjohje. NaumPrifti

“Shqiptarë në liri. Dispora shqiptare në Amerikë”
Studime letrare, dëshmi, bibliografi, me autore Prof. dr. Eleni Karamitri
-një libër me peshë malli.
Ky botim i ri i autores, Prof.dr. Eleni Karamitri, (Shkodër, 2017), është një ngulmim shkencor karakteristik për autoren e shtatë veprave të thukëta studimore; përndryshe një vazhdim i drejtpërdrejtë i librit të saj Zëra nga diaspora, botuar plot një dyzinë vitesh më parë. Në këtë distancë kohore, ajo e ka strukturuar veprën e re ndryshe, duke e plotësuar me informacion kulturor më të thellë përsa i përket ndihmesës përtej një shekulli të figurave më të spikatura të shqiptarëve që kanë jetuar suksesshëm apo që veprojnë intensivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj studimet letrare të kësaj autoreje, ndjekin njëra-tjetrën si kuadrot e një filmi me ekran të gjerë, me ngjyra dhe me metrazh të gjatë.
Në kapitullin e parë, Diaspora shqiptare, Eleni Karamitri, ka zbërthyer çelësin etimologjik të mbarë problematikës: Diaspora shqiptare – tërësia e bashkësive shqiptare të vendosura në kohë dhe në vise të ndryshme jashtë e larg trojeve etnike…. , ajo parashtron teorikisht çështjet e trajtuara rrallë apo pjesërisht nga autorët e tjerë, si: Dukuri në letërsinë e diasporës, Kritere të mundshme për klasifikim, Letërsia e diasporës ende e pastudiuar, Diaspora shqiptare për kulturën e gjuhës.
Në kapitullin e dytë, Autorë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Diaspora shqiptare-një realitet entuziast, trajtohen portrete dhe profile figurash poliedrike si Faik Konica, Fan Noli, Arshi Pipa, Stavre Frashëri, Peter Prifti, Sami Repishti, përmes dy teknikave; asaj të monografive në miniaturë dhe asaj të eseve seriale.
Kapitulli i tretë, Refleksione, parashtron mendimet e Prof. Shefik Osmanit e Prof. Jup Kastratit, si dhe analizon hollësisht punën e gjatë e të palodhur të Prof. Peter Priftit.
Në kapitullin e katërt, Reagime nga Diaspora, vlerësimet për veprën mozaik të prof. Peter Priftit dhe studimin monografik kushtuar kësaj figure nga autorja Eleni Karamitri, dalin drejtpërdrejt nëpërmjet epistolarit selektiv të intelektualëve: At Artur Liolini, Sami Repishti, Nick Pano, Van Kristo, Andon Kote, Anton Çefa.
Në Epilog, studiuesja, sa risjell në kujtesë shpërndarjen e hirit të intektualit të shquar Peter Prifti në atdhe (sipas porosisë së tij të fundit), aq merret me mbledhjen e hirit (në kuptimin tashmë emocionues) të punës së tij të pamort.
238 faqet e librit me peshë malli Shqiptarë në liri. Diaspora shqiptare nëAmerikë, para se të fiksoheshin në laptopin personal të autores, kanë prekur tastet e shpirtit të saj me dinjitetin kombëtar. Një pjesë e temave, është shkruar në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi, mbas diskutimeve me kolegët e saj pedagogë dhe mbas eksperimentimeve tek tezat e studentëve gjatë diplomave të masterit profesional apo punimeve të masterit shkencor. Një pjesë është shkruar në bibliotekën e kryeqytetit, pranë njohësve të stilit të saj: Prof. dr. Stefan Çapalikut, prozator e dramaturg modern dhe Prof. dr. Tefë Topallit, ekspert i gjuhësisë së tekstit, si dhe pranë frymëzuesit e vlerësuesit të angazhimit të kahershëm, konsulentit dhe bashkëshortit, Dr. Petri Karamitri. Një pjesë është ideuar në qiell, në sedilet e avionëve me fitim kohe, në praninë e stuardesave të huaja dhe të bashkatdhetarëve tranzit. Një pjesë është realizuar kur ka shkelur kontinentin e ri tej oqeanit, atje ku kultivohet shqipja e mrekullueshme nga personalitete frymëzuese si Sami Repishti, apo nga përfaqësues shkencorë më të rinj të antropologjisë sonë kulturore.
Paraqitëm vetëm majën e aisbergut nga vepra më e re e Prof. dr. Eleni Karamitrit, për t’ua lënë studiuesve, studentëve dhe lexuesve të interesuar ndaj tematikës së diasporës, që përmes bibliografisë mjaft të pasur e orientuese që e dallon këtë botim, ta zbulojnë plotësisht këtë libër letrar e shkencor me peshë të pamatshme malli.
Alfred Çapaliku

LEAVE A REPLY