Të rinjtë, të arsimuarit dhe ata që flasin gjuhën angleze do të jenë më të avantazhuarit në sistemin e ri amerikan të emigracionit.
Propozimet për pranimin e të ardhurve në Shtetet e Bashkuara u përvijuan të enjten nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Sipas tij, sistemi i ri pro-amerikan mbron pikësëpari punonjësit vendës dhe u jep më përparësi të huajve profesionistë kundrejt atyre që kanë lidhje familjare në SHBA.
Presidenti amerikan tha se nëse për arsye politike rivalët demokratë shprehen kundër planit të tij të emigracionin mbi bazën e meritave, legjislacioni do të kalojë pas zgjedhjeve të nëntorit 2020 sapo ai të ketë fituar dy dhomat e Kongresit dhe presidencën.
Që të hyjë në fuqi, propozimi i presidentit Trump kërkon mbështetjen si të Senatit të kontrolluar nga republikanët edhe të dhomës legjislative me shumicë demokrate.
Kryetarja e kësaj të fundit, Nensi Pelozi, e bëri të ditur qëndrimin e partisë së saj duke e quajtur joserioz planin e Shtëpisë së Bardhë.
Ajo shtoi se historia e Shteteve të Bashkuara është ajo që njohim edhe pse të ardhurit nuk kanë qenë të gjithë inxhinierë.
Plani i përpiluar së fundmi tenton të adoptojë një sistem meritor të ngjashëm me atë të Kanadasë, duke e rritur nga 12 në 57 për qind lëshimin e kartave të gjelbra për personat e kualifikuar.
Në Amerikë emigrojnë çdo vit rreth 1,1 milionë, ndërsa dy e treta e tyre fitojnë kartën e gjelbër nisur nga raportet familjare.