Gjatë ditës së sotme kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj, bullgari z.Nikolai Gospodinov ka zhvilluar takime me drejtues të klubit dhe përfaqësues të instucioneve lokale dhe atyre të arsimit të lartë.
Ai është pritur nga Presidenti i klubit z.Alban Xhaferi dhe Sekretari i përgjithshëm, z.Blendi Dibra.
Takimi i parë prezantues është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës, ku shefi i klubit shumësportësh Vllaznia z.Mark Krroqi dhe inspektori z.Astrit Zaganjori e kanë njohur z.Gospodinov me arritjet e klubit.
Ai është njohur nga afër me infrastrukturën sportive dhe kushtet stërvitore. Gjatë takimit u diskutua për ndërtimin e një ekipi pretendent në sezonin e ri, por edhe plotësimin e kushteve për lojtarët dhe stafin.
Më pas, u zhvillua një takim në ambjentet e rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku rektori Adem Bekteshi priti në takim trajnerin Gospodinov, presidentin Xhaferi, sekretarin Dibra, por të pranishëm ishin edhe trajneri i Vllaznisë U- 16 për djem, Ermal Milla dhe profesor Beniamin Nako.
Rektori Bekteshi u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim me ekipin e Vllaznisë, duke e ftuar z.Gospodinov të angazhohet si lektor pranë Fakultetit të Edukimit Fizik pranë këtij Universiteti.
Ndërkohë, pasditen e sotme rreth orës 20:00, Gospodinov do të zhvillojë edhe një seancë stërvitore me ekipin e Vllaznisë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

 

LEAVE A REPLY