Matura, më shumë pyetje dhe penalitete

0
610

36 mijë gjimnazistë janë në ankth për mbarëvajtjen në provimet e Maturës Shtetërore. Këtë vit ka ndryshime, por dhe penalitete të shtuara për nxënësit që kopjojnë. Maturantët do të kenë jo më 5 por 4 provime, zgjatet koha e testimit në 2 orë e gjysmë dhe ka më shumë pyetje alternative për çdo lëndë. Drejtoresha e Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi shpjegon ndryshimet në procesin e Maturës Shtetërore. “Ndryshon formati i testit, nuk do të jetë më me 50 pikë, por është me 60 pikë. Do të shtohet numri i pyetjeve me alternativa në test dhe sigurisht që çdo test është detyrë e Qendrës së Shërbimeve Arsimore që të jetë në përputhje të plotë me programet orientuese.

Një risi tjetër është një pjesë e pyetjeve dhe janë pikërisht pyetjet me alternativa që do të korrigjohen jo në mënyrë manuale, por dixhitale, ato do të skanohen dhe kjo do të sjellë një besueshmëri shumë më të lartë, pra gabimi njerëzor këtu zerohet dhe fitojmë më shumë kohë”, shpjegon drejtoresha Vrapi.

Mos i varni shpresat tek kopjet. Çdo komunikim mes maturantëve apo qarkullim kopjesh do të skualifikojë maturantët nga provimi si dhe penalizon administratorin në sallë. “Ata të cilët kapen me kopje, në mjedisin e provimit, por qoftë edhe më pas, ku ne identifikojmë përgjigje që mund të jenë të afërta ose identike, menjëherë ato skualifikohen, zerohen dhe maturantëve nuk iu njihet absolutisht asnjë lloj rezultati dhe janë të detyruar që të kalojnë në sesionin tjetër”, shtoi drejtoresha e Shërbimeve Arsimore. Më 7 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të parë të gjuhës së huaj, në 12 qershor është testi i gjuhës shqipe, në 17 lënda e matematikës dhe në 24 qershor provimi me zgjedhje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here