Kompania e kërkimit të naftës, “SHELL”, ka njoftuar përmes një deklarate për shtyp se në pusin Shpirag 4, në Berat, ka prurje nafte.
Në deklaratën e SHELL, thuhet se testimi disaditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive nafte në ditë.
Deklarata e plotë
Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.
“Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve)”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin. “Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.”
Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive nafte në ditë. Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese.