Policia e Tiranës ka njoftuar se për protestën e mbrëmshme të opozitës janë proceduar 60 persona, mes tyre edhe organizatori i protestës Gazmend Bardhur. Mes të proceduarve 42 protestues janë arrestuar dhe arrestim i tyre është bërë bazuar në prova, pamje filmike dhe raport shërbimeve.
“Gjatë protestës në rrugën “George W. Bush” pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.
Po ashtu policia sqaron se si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Vijon puna për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.