(Histori e vertete)

…Atë mëngjes, sapo rrezja e parë e diellit, rroku dritaret e kullës së Preng Gjok Dedës, ky u çue vrik e iu soll të shoqes së vet:

– A ndieve?
– Oja – u gjegj e shoqja
– Ma mbush nji pagjure raki, pak mjaltë e do arra e mi shti në strajcë. – i tha Prenga asaj
– Po ku je tui shku kshtu mor plak? – e pyeti ajo krejt kureshtje.
– M’i ban gati shpejt se sot du me krye nji punë.

Ajo pa fjalë shkoi te rrëshiqi i rakisë e mbushi paguren, i vuri tapën dhe e futi në strajcë. Sa hap e mbyll sytë doli në kopësht, mblodhi arrat e mandej në haur mori mjaltin, i bëri të gjitha bashkë në strajcë e ia dorëzoi të shoqit. Prenga ndërkohë u rrua, veshi brekushet e reja, këmishën e bardhë, lidhi për shtati brezin e kuq, hodhi krahësh xhaketën e re e shikoi orën që mbante në xhep. Te pragu ishte ulur nipi i vogël. E puthi e doli në oborr. Aty ishte Marku, djali i madh, i cili kishte në dorë e po gdhendte një bisht cakice për me pre shkurre në mal. Kur e pa ashtu vesh e ngjesh, sikur po shkonte në dasëm, i thotë:

– Ka je t’ia mbajt kshtu lalë?
– Kam marrë vesh se Bib Gjoka asht smundë për dekë e du me shku me e pa. – iu përgjigj Prenga t’birit.

Ai ngriti kryet e pa t’atin drejt e në sy e krejt i habitun, gati – gati me një farë yryshi, i tha:

– Or lalë. Po tii….si kshtu?

Prenga e kqyri rreptë e i tha:

– Shuj ti se e di unë at punë.

Çeli trenën e kopshtit e doli në rrugë të madhe që ishte skaj oborrit të tij. Kund pas nja 50 metrash mori shtegun për kah kulla e Bib Gjokës.

Prenga e Biba ishin rritur bashkë në një fshat. Prenga ishte pak ma i vogël se Biba, kund nja dy apo tre vjet. Si fëmijë kishin luajtur bashkë gjithë kohën e ishin rritur po ashtu bashkë. Mirëpo një ditë, për një shkak krejt të kotë, ishin zënë e i kishin folur rëndë njëri-tjetrit, aq rëndë saqë, vetëm se nuk i kishin armët me vete, se dëshmitarët që kanë qenë aty kanë thënë që do të ishin vrarë në vend. Kishin shkuar secili në shtëpi të vet e çu fjalë njëri-tjetrit se vetëm pushka e ndan këtë gjë.

Ndërkohë kishte hyrë regjimi komunist e vitet kishin kaluar. Por Prenga e Biba nuk e kishin harruar këtë punë. E mbanin lidhur vath në vesh. Një ditë shpresonin se kjo punë do të zgjidhej ashtu si ishin betuar. E dinin edhe fëmijët, të cilët shmangnin njëri-tjetrin në koperativë kur shkonin në ara me punue. Të gjithë e dinin, por askush nuk fliste.

Prengës duke ecur i vinin ndërmend të gjitha ato vite, koha që kishte kaluar, gjërat se si kishin rrjedhur. Tash ishte çasti me e zgjidhë këtë punë. Ashtu mendueshëm ecte gati me gulçim drejt kullës së Bib Gjokës.

Në kullën e Bibës djemt e rejat hynin e dilnin. Vinte edhe ndonjë mik me e pa se kishin marrë vesht se Bib Gjoka ishte smundë për dekë. Edhe ai e dinte se i kishte mbetur një punë pa krye e hera herës humbej në mendime. Djemtë që e dinin këtë punë nuk i bëzanin. Atë mëngjes edhe ai kishte hapur sytë në shtrat e i kishte thanë djalit të madh:

– Ndi ktu! Du me të lanë një punë me ma krye sa jam gjallë. Nuk due me dekë me kët brengë në zemër.
– Fol lalë se kam me ta krye veç n’deksha – i kishte thënë i biri.
– Shko te kulla e Preng Gjokës e ..

Por nuk e kishte mbaru fjalën, se një mec i vogël i thotë t’et, djalit të amdh të Bibës:

– Babë, babë asht tui ardhë nji burrë i gjatë. Duket atje larg, drejt kullës tonë asht tui ardhë.

Djali i madh i Bibës doli jashtë vrik, por hyni brenda te i ati më shpejt se doli e i tha:

– Lalë ashtu tui ardhë Preng Gjok Deda. Ç’me ba?
– Me i dalë përpara e me e prit se ka ardhë për mue. – i tha Biba.
– Po lalë si…?
– Hajt ban ça të them un! Çohu e dili para!

Sapo iu avit oborrit Preng Gjoka briti me të madhe:

– O Bib Gjoka!
– Hajde bujrëm – ia priti djali i madh i Bibës.

U falën e u pyetën ashtu tui ecë në në kambë drejt derës së kullës. Prenga ishte shtatlartë e kur hyni te dera e kullës u përkul pak. Strajcën e mbante me vete e apo hyri te dhoma ku ishte shtrati i Bibës iu drejtua:

– O mir se të gjeta Bib Gjoka!
– Mirë se të pruni Zoti Preng Deda! Ugju! – ia ktheu Biba.
– Kam ndie se je smundë or Bibë e erdha me të pa.
– Paç faqen e bardhë Preng Gjoka!

U shikun për pak çaste në sy. Asnjërit nuk i ishte fikur ai zjarr rinor e kur pane njëri-tjetrin pas shumë vitesh u duk sikur u rindez ai zemërim. Të dy e dinin se atë ditë do të mbyllnin një punë që për vite u kishte brejt zemrën. U pyetën, ashtu sikurse bëhet në çdo shtëpi mirditore. Biba u bëri me shenjë njerëzve të dilnin jashtë e ta linin vetëm me Prengën. Djali i madh nuk desht me dalë, por Biba e kryqi vrangët e ai doli pa fjalë. Ndejt pas dere.

Prenga kapi strajcën, e hapi ngadalë, nxorri faqoren e rakisë, mori dy gota që ishin te kryet e shtratit të Bibës e i mbushi. Sa herë kishin pi raki bashkë në rini të tyne. Ia dha njërën gotë Bibës e tjetrën e mbajti vetë.

– A e ke ba rakinë e mirë kët vit or Prengë? – ia priti Biba.
– Tash po e provon Bibë. Kjoftë lëvdu Krishti, me nder tane e mirë se të gjeta! – iu drejtua Prenga dhe e piu vetë i pari rakinë.

Po ashtu edhe Biba e mori në dorë gotën e rakisë. Ia tha fjalët dhe piu një met në të.

– Or Bibë – iu drejtua Prenga – a të ka mbet gja merak ksaj jete se me sa shof qoke smundë fort?

– Po besa Zotit more Prengë. M’ka mbet diçka. – ia ktheu Biba.
– Po hajrli, ça asht që të ka mbet merak?
– Po asht tui më mbet merak që nuk të vrava dot me dorën teme. – dhe qeshi paksa. – Po ty or Prengë?

– Besa Zotit or Bib Gjoka edhe mu fort marak m’ka mbet që je tui dekë vetë e nuk të vrau pushka jeme.

Qeshën të dy fort. Qeshën me zemër. Ka qenë koha kur vdekja ishte aq serioze sa me të mund të bëhej edhe humor. Djali i madh i Bibës ishte ende pas derës tui ndigjue. Kur i dëgjoi duke qeshur u largua prej aty. Ndejtën atë paradite deri afër vakut të drekës, vetëm për vetëm, në dhomën e Bibës. Kujtuan shumë kohë e shumë ngjarje. Të dy u ngazëllyen me njëri-tjetrin. Askush nuk guxonte me hy në dhomë. Pak pa ra dielli Prenga mori leje e u çue.

– Bibë Gjoka lamtumirë! U pjekshim n’at jetë! – i tha Prenga e dy pika lot i rrëshkitën në faqe.

– Paç faqen e bardhë që erdhe me më pa or Prengë Gjoka e ma shumë që e zgjidhëm kët punë sikur u ka hije burrave të mirë e të mençëm të Selitës e t’Shqipnisë e nuk i lamë ngatërrue fmijët.

U përqafuan e Prenga mori me dalë. Pak pa dalë prej dere Biba i foli përsëri:

– Prengë mos shko kund largj kto dit.
– Jo jo Bibë ktu kam me qanë.

Doli nga dera. Djali i madh e shoqëroi deri te kufiri i tokës tyne. U përqafua me djalë të Bibës e shkoi në shtëpi të vet. Dielli po binte diku atje larg përtej Kthellës e terri po afrohej. Biba atë natë i thirri djemtë rreth vetes e u tha:

– Ndigjoni mirë e merrni vesh! Unë nuk e kap ditën nesër në mëngjes. Ju e dini se e kena pas nji ngatërresë me Preng Gjok Dedën. Sot ajo ngatërresë mori fund. Sa të jap shpirt unë keni me i çue fjalë Prengës me u ba zot shpie në morten teme.
Kështu duhet me e kuptue gjithë katundi e krejt Selita se kjo ngatërresë ka marrë fund.

Djemtë nuk mund të flisshin asgjë, sepse vaji i kishte ngërthyer në grykë. Pasi tha kështu iu dejtua djalit të madh e i tha:

– Thirri nuset, mecat e cucat këtu të gjithë.

Ata erdhën e iu bënë kurorë te kryet e shtratit. Mori fëmijën më të vogël e puthi e u tha:

– Qofshi bekue të gjithë!

Mbylli sytë e ra gjumë. Në gjumin e dekës. Të nesërmen në mengjes, sapo rrezet e para të diellit rrokën dritaret e kullës së Preng Gjokës, një mec i ri, nga nipat e Bib Gjokës, shkoi te kulla e tij e i dha lajmin e vdekjes së gjyshit të tij. Prenga u vesh, u ba gati, shkoi atje e i pari ra mbi trupin e shoqit të tij hasëm dhe e vajtoi.

Mandej atë ditë e ditën mbrapa udhëhoqi morten. E gjithë Selita, Kthella e Lura e morën vesh se burrat e dheut ishin marrë vesht.

#DomGjergjMeta

LEAVE A REPLY