Statistikat lidhur me fenomenin e emigracionit nga Shqipëria rezultojnë shqetësuese.Gjatë vitit 2018, 38.703 shqiptarë lanë vendin për të emigruar jashtë kufijve. Më herët, në vitet 2011-2017 u numëruan 330 mijë persona që ikën si emigrantë. Shifrat bëhen publike zyrtarisht nga Instituti i Statistikave.

Sipas ekspertëve emigrimi i viteve të fundit dallon nga ai viteve 90-të.

Ata kërkojnë nga klasa politike që të ndërhyhet sa më parë për të ndaluar këtë fenomen, i cili së fundmi po i merr vendit të rinjtë e kualifikuar.

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Deutsche Welle-n, se emigracioni i viteve të fundit është krejt i ndryshëm nga ai i viteve ’90, i cili sipas tij kishte karakter politik dhe preku të gjithë shtresat shoqërore.

Sipas ekspertit, ata që po braktisin sot vendin janë të lodhur nga pritja e vazhdueshme për zbatimin e reformave në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi.

“Emigracioni i fundit po jep pasoja të fuqishme demografike dhe social-ekonomike, siç është boshatisja e vendit, plakja e popullsisë, ulja e numrit të lindjeve, në të cilat emigracioni ka ‘peshën e luanit’, sepse ata që largohen nga vendi janë përgjithësisht moshë e re, me aftësi të mëdha prodhuese. Një pjesë e mirë e tyre janë elitarë nga pikëpamja profesionale dhe kjo është shqetësuese. Po ikën elita e vendit, ‘truri’, largimi i profesionistëve siç janë inxhinierët, mjekët, punonjës të IT-së, infermierë, mësues, të cilët kur largohen nga vendi, krijojnë vakuume që nuk mund të plotësohen kollaj. Për ta është investuar dhe largimi i tyre krijon boshllëqe të mëdha”, i thotë Gëzim Tushi DW-së.

Në mesin e atyre që e braktisin Shqipërinë ka edhe një kategori shqetësuese për ekspertët. Kategoria e të painformuarve. Ata ikin në emigracion pa një objektiv, thotë Gëzim Rushi.

“Pra ky deformim i statusit, të ikësh nga vendi yt duke qenë këtu dikushi dhe shkon në emigracion për t’u bërë askushi mua më duket e palogjikshme”.

Referuar Institutit të Statistikave, në fund të vitit 2018 shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 12.3% dhe krijimi i vendeve të reja të punës u ngadalësua ndjeshëm.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa argumenton se situata ekonomike lidhet drejpërsëdrejti me situatën politike në vend.

“Ajo që spikat është se sa herë ka acarime të situatës politike, fenomeni i emigracionit rishfaqet sërish. Kur ka pasur normalitet, kur ekonomia ka qenë në zhvillim dhe politika brenda normalitetit dhe standardeve demokratike, qytetarët janë kthyer dhe janë përpjekur të ndryshojnë jetën e tyre në Shqipëri.”

E reja e këtij emigracioni dhe fakti shqetësues për ekspertët është ai që ata e quajnë emigracioni elitar.

“Një pjesë e mirë e qytetarëve që po largohen janë përgjithësisht qytetarë që kanë një standard të mirë jetese në Shqipëri. Pra, kanë pasuri, kanë prona dhe kanë ndërtuar një standard të caktuar jetese. Por ata gjejnë nivelin e shërbimeve shumë problematik, sistemin e shëndetësisë dhe të edukimit problematik. Qytetari ndjehet i pa përfaqësuar, qytetari ndjehet pa zë dhe ndjehet i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen politike të vendit”.

Selami Xhepa zgjidhjen e shikon pikë së pari tek politika.

Klasa politike e vendit duhet të kuptojë që shoqëria po e braktis pak e nga pak dhe meqënëse njerëzit ndjehen pa zë për të ndryshuar këtë gjendje, atëherë kanë parë si alternativë largimin. Ata duhet t’u japin zë qytetarëve, ta pyesin qytetarin, të konsultohen me qytetarin, jo një herë në 4 vjet duke i vjedhur votën”.

Së dyti, Xhepa sheh si zgjidhje që punëdhënësit të ndryshojnë strategji.

“Njerëzit sot presin që të kenë një punë, me të cilën të marrin mbrapsht një pagë e cila t’u mundësojë atyre një standard normal të jetesës. Jo luks, por një standard normal jetese. Sigurisht që nuk mund të presin të njëjtën pagë si në Gjermani por ama standardin, respektin dhe dinjitetin njerëzor në vendin e punës e meritojnë që të gjithë”.

Për sociologun Gëzim Tushi duhet ndërhyrë në të gjithë fushat. Politika është përgjegjësja kryesore për këtë situatë.

LEAVE A REPLY