“I nderuar Profesor Gurakuqi,

U njoha nga shtypi me letrën e hapur që më kishit drejtuar para pak ditësh.

Ndihem i detyruar t’ju përgjigjem, në respekt të kontributit tuaj si pedagog, historian e qytetar i nderuar i Shkodrës. Ky respekt shkon përtej pikëpamjeve të ndryshme politike që qartazi na ndajnë.

Profesor, ju e filloni letrën tuaj duke mirëkuptuar dëshirat e mia personale për ta përmbyllur si në ëndërr proçesin zgjedhor në Shkodër….

Meqë besoj se jam në një pozicion më të përshtatshëm se ju për të njohur dëshirat e mia personale, të cilat ju nuk hezitoni gjithsesi t’i merrni me mend, më lejoni t’jua sqaroj edhe njëherë atë që kam përsëritur vazhdimisht, sa herë më është dhënë rasti gjatë këtyre dy muajve të fundit:  që ditën e parë kur strukturat e Partisë Socialiste më besuan kandidimin për Bashkinë e Shkodrës e deri në momentin e fundit, kam dashur, shpresuar, uruar që përballë meje të kishte kundërshtarë me të cilët të përballnim alternativat tona për zhvillimin e qytetit, në një garë normale, ashtu siç i ka hije Shkodrës.

Mirëpo kjo nuk ndodhi, dhe jo për fajin tim, as të forcës politike që unë përfaqësoj.

Shumë fjalë janë thënë e shumë zhurmë është krijuar gjatë këtyre ditëve për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.  Partia Socialiste që unë përfaqësoj dhe Qeveria shqiptare e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre.

I nderuar profesor, e mirëkuptoj pasionin tuaj prej historiani për të drejtën zakonore dhe kanunin, për të cilat, jam i sigurt, mund të flisni gjerë e gjatë.  Mirëpo, si ish ligjvënës që jeni, dhe pse jo, si deputet i ardhshëm i Shkodrës që mund të jeni, ju  ftoj t’i referoheni pak më shumë kuadrit ligjor të sotëm.

Më datë 11.07.2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organi më i lartë shtetëror i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve në vendin tonë, ka shpallur me anë të vendimit 1083 rezultatin e votimit per zgjedhjen  e Kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Unë mirëpres çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, cili qoftë ai, në rast se çështja e vlefshmërisë së zgjedhjeve do të shtrohet në muajt e ardhshëm për shqyrtim, sepse formimi dhe botëkuptimi im më imponojnë respektin ndaj ligjit dhe insitucioneve.

Mirëpo deri atëherë, Shkodra ka nevojë të drejtohet. Qytetarët shkodranë, qofshin këta demokratë, socialistë apo elektorat “gri”, entuziastë të pasionuar apo indiferentë e të lodhur nga politika, kanë të gjithë nevojë, përtej bindjeve e pikëpamjeve politike, për një drejtues Bashkie që të punojë për të përmirësuar jetesën e tyre të përditshme.

Pas datës 12 gusht, zonja Ademi nuk mund ta ushtrojë më detyrën e saj sepse  ligji ia pengon; ajo nuk do ketë më asnjë akses në buxhet dhe të ardhurat, asnjë të drejtë firme.

Së fundmi, jam plotësisht dakord me ju kur bëni thirrje për të shmangur përplasjet artificiale që mund të provokojë ambicia politike e paarsyeshme.

Në këtë drejtim, dalja ime me gazetaret para opinionit publik pas zgjedhjeve, ishte nje mesazh paqeje që synonte qetësimin e situatës, drejtuar të gjithë aktorëve lokalë, dhe veçanërisht kryetares  ende në detyrë, nga e cila, akoma dhe tani teksa ju shkruaj këtë letër, unë pres një shtrëngim duarsh. E pres si drejtuese institucioni, por dhe si politikane në karrierë, që vazhdimisht ka promovuar respektin e besnikërinë ndaj ligjit, gjykatave dhe institucioneve. Koha ka ardhur, që ajo, por dhe ju sigurisht, ta provoni këtë gjë me vepra dhe jo vetëm me retorikë.”

LEAVE A REPLY