Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi sot nxjerrjen e analizave false për prodhimet bujqësore duke akuzuar qeverinë se po rrënon bujqësinë dhe shëndetin e shqiptarëve. Ish-deputetja e LSI Floida Kërpaçi tha se sot po denoncojmë një skemë mashtrimi me certifikatat e lëshuara nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore. Ajo theksoi se ky laborator nuk është i licencuar sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe nuk ka pajisjet për të kryer këto lloj analizash.
Duke publikuar edhe një dokument, Kërpaçi tha se ajo tregon injorancën e thellë profesionale të hartuesve del qartë që këtu nuk kemi të bëjmë me analiza por me mbushjen e një formulari, vetëm për t’i zhvatur paratë si eksportuesve ashtu dhe fermerëve prodhues.
Ish-deputetja e LSI-së i bëri thirrje prokurorëve të nisin një proces për mashtrim publik, shpërdorim detyre ndaj drejtuesve të këtij institucioni dhe Ministrit.
DEKLARATA E KËRPAÇIT
Qeveria po rrënon bujqësinë shqiptare e bashkë me të edhe shëndetin e gjithë popullatës. Fermerët shqiptar po shkatërrohen sistematikisht nga qeveria e oligarkëve.
Krahas rritjes së pritshme të çmimit të naftës me 200 lekë për litër, uljes drastike të subvencioneve që ua ka bërë shumë herë më të vështirë fermerëve ekzistencën dhe konkurrencën përballë produkteve bujqësore të importit, sot po denoncojmë edhe një skemë mashtrimi me certifikatat e lëshuara nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.
Ja u bëjmë të qartë të gjithëve si eksportuesve si fermerëve prodhues, si supermarketeve, ashtu dhe dyqanet e shitjes së produkteve bujqësore që ky laborator nuk është i licencuar sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe nuk ka pajisjet për të kryer këto lloj analizash.
Në këtë fletë që tregon injorancën e thellë profesionale të hartuesve del qartë që këtu nuk kemi të bëjmë me analiza por me mbushjen e një formulari, vetëm për t’i zhvatur paratë si eksportuesve ashtu dhe fermerëve prodhues.
Është njësoj si një qytetar të kërkojë të shkoj për të bërë analizat e gjakut, në dyqan rrobash dhe të marri një fletë të bardhe ku shkruhet analizat e gjakut janë ok. Po e lexoj me kujdes së çfarë thuhet: Nuk detektohet prani e pesticideve ose metaleve të rënda me testin screening.
E thënë shqip, kjo metodë nuk ekziston. Sepse e thënë fjalë për fjalë në shqip kjo përkthehet metoda e zbulimit, por pa thënë se çfarë metode kanë përdorur. Për pesticidet metoda zyrtare emërtohet gazkromatografi, mas spektrometri dhe si metodë zbuluese kromatografi me fluks anësor.
Ndërsa për metalet e rënda spektometri me absorbim atomik. Në analizën ‘fake’ kanë vendosur një fjalë anglisht që nuk ia dinë kuptimin dhe nuk kanë përcaktuar metodën shkencore të përdorur për analizën e nivelit të pesticideve dhe metaleve të rënda në produktin e analizuar, si dhe nuk shënohet kufiri i përmbajtjes së materialit dhe as vlera e matur.
Këtë fletë analize mund ta lëshojnë vetëm njerëz që janë të papërgjegjshëm ligjërisht, të paaftë profesionalisht dhe militant partie që mbi qytetarët dhe Shqipërinë, vendosin partinë. Pasojat nuk rendojnë mbi qeverinë por drejtpërdrejt te qytetarët e thjeshtë dhe fermerët dhe eksportuesit.
Kjo analizë ‘fake’ që ky shtet i detyron ta bëjnë duke paguar para, duke qenë ‘fake’ nuk jep asnjë garanci përballë institucioneve të kontrollit ushqimor të shteteve ku eksportuesit shqiptar eksportojnë produkte bujqësore.
Gjithashtu, kjo analizë ‘fake’, nuk jep asnjë garanci për supermarketet dhe dyqanet që tregtojnë prodhime bujqësore. Kjo analizë ‘fake’ nuk garanton asnjë qytetar shqiptar çfarë produkti konsumon dhe nuk garanton shëndetin e fëmijëve dhe qytetarëve shqiptar.
Ndaj, i bëj thirrje sot nga kjo foltore, Prokurorëve të përgjegjshëm të këtij vendi, të nisin një proces për mashtrim publik, shpërdorim detyre ndaj drejtuesve të këtij institucioni dhe Ministrit që ka urdhëruar kryerjen e kësaj analize ‘fake’.