Kontrollet e partizanëve shtëpi më shtëpi në Shkodrën e pas Luftës, me pretekstin për të kërkuar “reaksionarë” të fshehur apo të dyshuar si kundërshtarë të regjimit komunist…

Në dhjetor të 1944, ndërsa lufta kishte përfunduar, në Shkodër shtëpi më shtëpi ia behnin partizanë të armatosur, të cilët siç e dëshmojnë raportet që ata vetë shkruajnë në këtë periudhë në adresë të Komitetit Qendror dhe drejtuesve të PKSH, me forcën e armëve dhe dhunë fizike, kërkonin kudo në familjet shkodrane “reaksionarë” të fshehur ose edhe të dyshuar të tjerë si pretekst për të bërë kontrolle e sekuestrime.

Foto, një prej të shumtave që ruhen në koleksionet e albumeve të luftës në AQSH, e publikuar pak ditë më parë nga studiuesi Kastriot Dervishi dëshmon një prej këtyre kontrolleve një ditë dhjetori të 1944 në një familje shkodrane.

Në kujtimet e tij, At Zef Pllumi shkruan kështu për këtë fenomen:
“Ndër kazerma, nuk kishin çka me ba, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandaj i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzi nëpër shpija nëse gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshefun. E para punë që banë qe vumja në funksion e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandaj duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin ma shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem. Menjëherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-n o Y-in; ose për të tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverie? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëherë krejt i panjohtun për popullin e Shqipnisë së Veriut”.

 

Kujto.al

LEAVE A REPLY