Sunday, November 10, 2024
Home Aktualitet Lleshaj: Kush bëhet i pasur nga shërbimi publik, ka bërë krim, pikë!

Lleshaj: Kush bëhet i pasur nga shërbimi publik, ka bërë krim, pikë!

0
660

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe drejtues të Akademisë së Sigurisë, zhvilloi një bashkëbisedim në klasën ku zhvillojnë mësim, me studentët që brenda pak javësh përfundojnë kursin për Oficerë të Policisë Kriminale.

Ministri parashtroi arsyet dhe nevojën për forcimin e strukturës për luftën kundër Krimit Ekonomik.

“Një ndër arsyet e mëdha se përse në Shqipëri ka supervila, supermakina, superparty, por ka ende shkolla të papajisura, qendra shëndetësore të papajisura, komisariate të papajisuara, rrogëtarë të shtetit të papaguar mirë e të tjera me radhë, është fakti se ne nuk jemi në gjendje ende që atë pjesë që i takon shtetit, ta marrë shteti. Pse nuk ndodh kjo? Sepse shumëçka rrjedh përmes kanaleve të ndryshme, përmes evazionit fiskal, përmes kontrabandës, përmes kanaleve të tjera, rrjedh në xhepa privatësh, të cilët fuqizohen, por rrënojnë atë pjesën publike. Është kjo arsyeja pse na duhet një strukturë e fortë e kundër krimit ekonomik. Një strukturë, e cila do të duhet që t’i marrë ato para që vidhen, t’ia kalojë buxhetit të shtetit dhe përmes buxhetit t’ia kthejë prapë taksapaguesve në formën e shërbimeve”, nënvizoi ai.

Ministri Lleshaj ftoi çdo student të diplomuar me rezultate të larta, që ka dëshirë të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit, të aplikojë deri në 15 shtator.

“Ky është kursi i parë që bëhet. Ne do të hapim tjetrin në muajin tetor. Dhe duam që të vërtetojmë që është e mundur të bëhen oficerë policie nga universitetet dhe ju keni në dorë që përmes performancës suaj të justifikoni rrugën dhe ta mbani hapur atë për të tjerët që do të vijnë pas jush. Ne do t’i mbajmë hapur të dy kanalet; edhe kanalin që vjen nga universitetet, edhe kanalin që vjen nga shkolla e mesme dhe nga policia”, u shpreh z. Lleshaj.

Ministri i Brendshëm, gjatë bashkëbisedimit me brezin e oficerëve të rinj, u kërkoi të shërbejnë me ndershmëri në radhët e Policisë së Shtetit.

“Ata që bëhen të pasur përmes shërbimit publik kanë bërë krim. Pikë! Nuk ka mundësi që përmes shërbimit publik të bëhet njeriu i pasur me para. Përmes shërbimit publik ju mund të bëheni të pasur në gjëra të tjera. Mund të bëheni të pasur në dinjitet, në ndjenjën e krenarisë së shërbimit ndaj qytetarëve, ndaj popullit tuaj, ndaj vendit.

Sapo kemi nisur një proces të Vettingut, i cili është një proces që nis sot dhe nuk mbaron asnjëherë. Do të vazhdojë të thellohet, të sofistikohet në mënyrë që të sigurojmë që në Polici të kenë vend njerëzit që kanë nder me vete, që kanë dinjitet, që kanë sens shërbimi dhe që nuk kanë objektiva tjera përveç objektivit që të marrin një pagë të mirë, me dinjitet dhe me nder dhe kaq”, tha ministri.

Kjo është thirrja për kursin e dytë që hapet nga Policia e Shtetit, për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here