Wednesday, April 24, 2024
Home Kronika Ekspertët ngrenë alarmin për rikthimin e parcelave me kanabis

Ekspertët ngrenë alarmin për rikthimin e parcelave me kanabis

0
719

Ekspertë të fushës dhe ish-drejtues të policisë konfirmojnë konstatimet e dokumentarit italian për rikthim të fenomenit të drogës në Shqipëri. Sipas tyre situata më problematike paraqitet në jug të vendit ndërsa fenomeni është rikthyer muajt e fundit i nxitur edhe nga viti zgjedhor dhe kriza politike. Ish-drejtuesi i policisë arben hajdarmataj thotë se përmasat e fenomenit janë bërë shqetësuese edhe si pasojë e implikimit të policisë në bashkëpunim me grupet e trafikut.

Ish-drejtues të policisë konfirmojnë konstatimet e dokumentarit të Radio Televizionit Italian Rai 3 për riaktivizimin e fenomenit të kanabisit në Shqipëri.

Arben Hajdarmataj, ish-drejtues policie thotë se mbjellja e parcelave me drogë është rikthyer muajt e fundit në disa zona të vendit. Ish-zyrtari i rendit thekson se situata ekonomiko-politike por dhe viti zgjedhor, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë.

Hajdarmataj: Është riaktivizuar, sidomos në këto vatrat kryesore që është jugu, malësia e Krujës. Fenomeni i drogës luajti një rol kryesor në zgjedhjet e Dibrës.

Për ekspertët e rendit lufta ndaj kanabisit duhet të jetë e vazhdueshme në të gjithë territorin dhe jo me fushata.

Hajdarmataj: Në momentin që shteti mbyll njërin sy, është gati për tu riaktivizuar. Është fenomen që do luftë të vazhdueshme. 

Edhe Zëri i Amerikës pak ditë më parë dha alarmin për rikthimin e parcelave me drogë në jug të vendit ndërsa Hajdarmataj shprehjet se rigjallërimi i këtij fenomeni lidhet dhe me implikimin e punonjësve apo segmenteve të policisë gjatë kanabizimit masiv të vitit 2016.

Hajdarmataj: Viti 2016 ka qenë një goditje shumë e madhe për Policinë e Shtetit. E ka inkriminuar kaq shumë policinë e shtetit sa duhet vitë e vitë të clirohet nga ky fenomen.

policia nuk jep të dhëna zyrtare në lidhje me sasinë e zbuluar apo sekuestruar ndërkohë që një tjetër problem mbetet fakti se shumë parcela nuk evidentohen pasi janë vendosur në zonat malore të vendit ku nuk ka lëvizje apo patrullime nga forcat e rendit. Dy ditë më parë prokurorët e antimafias deklaruan për rai 3 se kanë vendosur hetues të tyre në tiranë për të koordinuar punën me palën shqiptare me qëllim frenimin e rasteve të trafikimit të drogës nëpërmjet detit në drejtim të Italisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here