Peizazhi alpin, ajri i pastër, qetësia e liqenit si dhe mundësia për të eksploruar kodrat në qytetin verior të Pukës janë një sugjerim në fundjavë, për të lënë pas ditët e lodhshme të punës dhe për të rifituar energji të reja.
Rikthyer në vëmendjen dhe transformimin që meriton ky qytet, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes investimeve të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës po zhvillohet faza e dytë e punimeve të projektit “Rikualifikimi Urban në bashkinë Pukë”.
Në shërbim të komunitetit dhe për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm, punimet parashikojnë: rikonstruksionin e rrugëve lidhëse të spitalit, kapotimin e fasadave të objekteve pranë sheshit të bashkisë, forcimin e mbrojtjes së liqenit të vogël, si dhe ndërhyrje të tjera plotësuese në parkun para ish-Hotel Turizmit. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.