Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, e që kanë arritur të marrin lejen biometrike të qëndrimit në këtë shtet, do të kenë mundësi të kenë disa të drejta të tjera. Edhe pse me vonesë, shteti helen ka adoptuar udhëzimet e Komisionit Europian për lejet biometrike. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të gjitha përfitimet që do të kenë shqiptarët që zotërojnë lejen unike të qëndrimit. Kështu, do të ofrohet një trajtim i barabartë i punonjësve, të cilët do të gëzojnë të njëjtin trajtim me vendasit.

“Mbajtësit e lejes biometrike do të kenë të drejtën e hyrjes dhe qëndrimit në territorin grek si dhe qarkullimin e lirë, me kufizimet që parashikon ligji (zona të sigurisë, etj.); të drejtën për të ushtruar veprimtarinë për të cilën kanë marrë vizën hyrëse; kushtet e punësimit, përfshirë limitin minimal të moshës për punë, konditat e punës, përfshirë kushtet e pagës dhe të largimit nga puna, orarit të punës, të lejeve dhe ditëve të pushimit, si dhe kërkesat lidhur me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës; të drejtën për grevë dhe veprimtarinë sindikale, sipas legjislacionit kombëtar, lirinë e grumbullimit, të aderimit dhe pjesëmarrjes në shoqata punonjësish apo punëdhënësish apo çdo lloj shoqate profesionale, përfshirë avantazhet që ofrohen nga këto organizata ndërmjet të cilave të drejtën e negocimit dhe lidhjes së kontratave kolektive, të gjitha këto, me rezervën e dispozitave që lidhen me rendin publik dhe sigurinë publike”, – thuhet në nenin e ndryshuar 21A të Kodit të Emigracionit.

Në këtë të fundit gjithashtu bëhet me dije se emigrantët shqiptarë në Greqi do të kenë përfitime edhe për sa i përket edukimit dhe kualifikimit profesional, njohjes së diplomave dhe aftësive të tjera profesionale, dispozitave të legjislacionit kombëtar lidhur me degët e sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, aty ku ekzistojnë marrëveshje dypalëshe, emigrantët e pajisur me lejen biometrike do të marrin edhe pagesën e pensionit të pleqërisë në nivelin që parashikon legjislacioni kombëtar apo legjislacioni i vendeve anëtare të BE-së.

Sakaq, ata do të kenë akses në asetet dhe shërbimet që disponohen për publikun, përfshirë procedurat për sigurimin e strehimit dhe të shërbimeve të informacionit dhe konsulencës që ofrojnë shërbimet e punësimit. Këta punonjës shqiptarë do të përfitojnë edhe nga avantazhet tatimore, me kusht që të konsiderohen se kanë banesë tatimore në territorin grek. Punonjësit që transferohen në një vend të tretë ose trashëgimtarët e këtyre punonjësve që jetojnë në një vend të tretë dhe përfitojnë të drejta prej tyre, marrin pensionet e ligjshme që u takojnë në bazë të punësimit të mëparshëm, me të njëjtat kushte si dhe kur punonjësit vendas shkojnë në një vend të tretë.

Të plotë e lexoni në Gsh.al

LEAVE A REPLY