Wednesday, April 24, 2024
Home Politikë Shtyhet vendimi/ Prokuroria kërkon 12 vjet burg, Tahiri thotë se është i...

Shtyhet vendimi/ Prokuroria kërkon 12 vjet burg, Tahiri thotë se është i pafajshëm

0
530

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vjet burg në pretencën ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Ky qëndrim i organit të akuzës u kundërshtua nga avokatët e ish-ministrit të Brendshëm por edhe nga vetë Saimir Tahiri, i cili në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka përfshirë në këtë çështje edhe emra ministrash të tjerë të qeverisë Rama.

Pas pretencës Tahiri ka parashtruar argumentet mbrojtës në sallën e gjyqit me një tabelë ku shpjegonte me skemë secilin episod.

Tahiri: “Më sillni një provë për 4 episodet që më akuzoni. Grup i strukturuar kriminal kërkon një provë çfarë kam bërë? Ngarkim-shkarkim, ngritje trau, kam blerë cigare për grupin? Më tregoni një veprim të jashtëligjshëm dhe shkoj në burg, por jo për thashetheme e sajesa”

Sa i përket akuzave se i ka  bërë të “paprekshëm” trafikantët duke i hapur dyert për të bërë trafik nga deti, ish-ministri Tahiri tha se i ka dërguar  6 shkresa sekrete ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, ku ai i ka kërkuar të rregullojë radarët në Durrës dhe Vlorë. Më tej ish-ministri hodhi poshtë edhe akuzat për dreka me Habilajt

Tahiri: “Habilaj është përgjuar duke thënë se jam me shefin e madh në datën 22.11.2013, por unë kam qenë në Bruksel për integrimin e Shqipërisë. Në datë 23 nëntor 2013, Habilaj është përgjuar duke thënë se jam këtu me shefin për drekë, por unë në 23 nëntor në orarin e përgjuar kam qenë në konferencë për mediat për rastin e të arratisurve nga burgu i Drenovës. Kam qenë në zyrë në takim me kreun e SHISH, Adriatik Llallën dhe min. e Drejtësisë Nasip Naço”

Tahiri ka bërë të ditur se nga telefonat e tij ka rezultuar zero komunikim me Habilajt. Po ashtu nga hetimet në 15 qytete në Greqi e Mal të Zi nuk ka dalë asnjë provë për prona e pasuri në emër të tij, përfituar nga trafiku.

Tahiri: “Ata trafikantë flasin për 5 milionë euro dhe 20 milionë që fitoja unë dhe i doja për zgjedhjet. Atëherë përse prokuroria e krimeve të rënda s’ka hetuar nga Edi Rama tek unë dhe tek të gjithë e të bënte namin. Kanë hetuar çdo lëvizje timen, hyrje- dalje e çdo gjë, por unë jam ministri që kam fjetur në hotelin më të shtrenjtë 140 euro e jo si ajo tjetra 900 euro”. 

Pavarësisht kërkesës së prokurorisë për 12 vite burg, ish-ministri nëse shpallet fajtor përfiton nga gjykimi I shkurtuar çka do ti ulte 1/3 e penalitetit ligjor. Sipas prokurorisë bashkëpunëtor me Tahirin ka qenë edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela.

Ora 15:30  Çfarë ndodh nëse dënohet Tahiri? Ja si përgjigjet avokati Maks Haxhia

Nëse Saimir Tahiri do të dënohet, ai do të ndjekë të gjithë rrugët  ligjore për tu ankuar dhe për tiu drejtuar gjykatave më të larta.  Avokati i Saimir Tahirit tha se prokuroria në konkluzionet përfundimtare  nuk solli asnjë prove të re.

Pyetje: Nëse klienti juaj do të dënohet çfarë do të bëni?

Maks Haxhia: Respektin ndaj ligjit, do zbatojmë të drejtën tonë për tu ankuar dhe drejtuar gjykatave më të larta.

Pyetje: Çfarë materiale të reja ka sjellë prokuroria në konkluzionet përfundimtare?

Maks Haxhia: Të gjitha materialet që ishin tani  ishin copy paste dhe jo të bëra mirë. Përkundrazi ne sollëm një material  që ishte skandaloze dhe që në atë moment Prokuroria po të kishte  njëcikë dinjitet profesional do të pushonte hetimin e kësaj çështje për  shkak se një prej të pandehurit, siç ishte Gjergj Kohila ka bërë email  drejtuar një prej prokurorëve, fatmirësisht atij prokurori që ishte sot  në seancë për të marrë në përgjegjësi penale Habilajt.

Pyetje: Në çfarë periudhe ja ka dërguar?

Maks Haxhia: Para 3 vjetësh

Pyetje: Dmth nuk ka asnjë prove të re.

Maks Haxhia: Absolutisht! Madje ajo që ndjej  keqardhje profesionale është që Prokuroria ka sjellë të gjitha  materialet e Italisë, ndërkohë që ato janë materiale janë gjykuar nga  autoritetet italiane dhe ka qenë vetë prokuroria që i është drejtuar  Gjykatës italiane që të pushojë çështjen. Gjykata italiane i ka mbajtur 6  muajt në dorë, i ka studiuar mirë dhe ka vendosur pushim të çështjes në  ngarkim të Tahirit.

Kjo do të thotë që të gjithë episodet që janë caktuar aty nuk duhet  të silleshin në gjykatën shqiptare. Duke parë që procesi ngeli në këtë  fazë dhe prokuroria në fillesat e saj tha ne kur iu drejtuam parlamentit  jemi mbi bazën e materialeve italiane. Materialet italiane e nxorën të  pastër Tahirin, në këtë moment Prokuroria bëri manovrën tjetër, duke u  lidhur me 3 oficerët e policisë për ta çuar deri në fund atë ngarkesë që  kishin marrë përsipër për ta vënë Tahirin përpara përgjegjësisë penale

Ora 14:00- Përfundon seanca e mbrojtjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në mbyllje, Tahiri dhe avokati i tij kanë kërkuar nga gjykata që të shprehet me vendim pafajësie.

Sipas Tahirit, prokuroria nuk ka dashur të bëjë verifikime për akuzat e ngritura ndaj tij.

Tahiri: Sipas Prokurorisë unë jam trafikant, por shpenzimet maksimale për një natë në hotel kanë qenë 140 euro, jo 900 euro. Prokuroria mori goxha bizhuteri në shtëpinë time, por nuk vajti në banesën e mamasë se nuk i interesonte.

Në lidhje me radarët, Tahiri  tha se i ka dërguar shkresë 6 herë ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Tahiri i ka paraqitur trupës gjykuese edhe një shkresë për procedimin që ka nisur ndaj Habiljave kur ishte ministër.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar dhe një shkresë për procedimin e grupit ë Treblovës, si dhe ka paraqitur një email që i ka dërguar Dritan Prençit për të nisur procedimin për Habilajt dhe të Treblovës.

Prokuroria kërkoi 12 vjet burg

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Por me pranimin e gjykimit të shkurtuar nga gjykata, Tahirit automatikisht i ulet një e treta e dënimit. Kështu ai do të dënohet me 8 vjet burg nëse pranohet nga gjykata.

Gjatë pretencës ku organi i akuzës lexoi konkluzionet, ish-ministri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë, konkretisht: 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas prokurorisë, Tahiri së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.

Në seancë u lexuan disa përgjime ambientale dhe telefonike. Në seancë, ish-ministri i Brendshëm Tahiri ka vijuar mbrojtjen.

Ai ka sjellë në sallën e gjyqit një tabelë për të paraqitur argumentat.

“Për sasinë e parë që më akuzoni kisha vetëm një javë që kisha marrë detyrën, ndërsa për sasinë e dytë vetëm dy muaj.Habilajt kanë qenë disa herë të proceduar gjatë kohes që unë kam qenë Ministër.”

Tahiri ndër të tjera tha se i kishte kërkuar Ministres së Mbrojtjes të asaj kohe Mimi Kodheli që të ndërhyjë për të kontrolluar radarët pasi ishin vënë re lëvizje të dyshimta.

Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela akuzohen për trafik të lëndeve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here