Reja: I lumtur nga fitorja, por u përgjumëm dhe pësuam dy gola

0
635

Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja është shprehur mëse i kënaqur me fitoren ndaj Islandës, por dhe për formacionin që hodhi në fushën e lojës. Strategu italian kritikoi mbrojtjen për dy golat e pësuar.

 

“Më vjen mirë që kemi fituar ndeshjen, por më vjen keq që kemi pësuar gola që mund të evitoheshin. Hymë në pjesën e dytë të përgjumur, dhe i dhamë një gol të shpejtë Islandës. Duke qenë se janë të fortë nga gjendja fizike, prisja që të dominonin. Por, ndodhi e kundërta dhe arritëm këtë rezultat.

Lojtarët më kënaqën të gjithë. Kemi një mesfushë teknike, Memushaj, Bare dhe Gjasula, që bëri rolin e digës. Gjetëm forca të reja, dhe lojtarë që mund të na japin për të ardhmen. Edhe në ndeshjen e parë me Islandën bëmë një takim të mirë, dhe nuk meritonim të humbnim. Skuadra po rritet. Kjo fitore na ndihmon. E vërtetë që ajo që ndodhi në fillim të pjesës së dytë nuk duhet të ndodhë më. Duhet të dyfishojmë sforcot kur jemi në avantazh. Jo gjithmonë fati do jetë me ne.

Problemet në mbrojtje? Gjimshiti ishte i dëmtuar, por nuk e kuptuam. Edhe Hysaj ishte i dëmtuar. Nuk e dija edhe nëse Bare e Memushaj do luanin 90 minuta. Por, ata që u futën në pjesën e dytë më dhanë kënaqësi. Abrashi në të djathtë më kënaqi, edhe Veseli bëri ndeshje të mirë në ato minuta që luajti. Kënaqem sepse ekipi ka shpirtin e grupit. Këto gjëra duhen për të vijuar.

E ardhmja? Për mua nuk është problem kontrate. Nëse gjejmë akordin, mund të vazhdoj, por edhe mund të kthehem në shtëpi duke bërë akoma më mirë. Më pëlqen klima e grupit, dua ta rris akoma nivelin. Sot nuk kemi bërë asgjë. Morëm një fitore të madhe, por duhet të shohim të ardhmen. Kemi dy ndeshje në transfertë, duhet të marrim pikë dhe atje, të jemi të kënaqur”, u shpreh Reja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here