Pak javë më parë, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, ndërsa vizitonte një fabrikë përpunimi të prodhimeve bujqësore, shprehu problemin me të cilin po përballen bizneset e industrisë përpunuese; mungesën e fuqisë punëtore.

E në këtë kontekst, ministri tha se ka ardhur koha që Shqipëria që tregu i punës në Shqipëri të hapet edhe për të huajt, pra për emigrantë.

Ajo që u paralajmërua nga ministri pak javë më parë, tashmë duket se po bëhet realitet. Një projektligj i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe i asaj të Brendshme është shtruar për konsultim publik dhe parashikon ndër të tjera, disa ndërhyrje në legjislacionin që rregullon lejen e punës për të huajt.

Në këtë kontekst, ndryshimet e propozuara në lidhje me dispozitat që rregullojnë lejen e punës së të huajve, synojnë të reduktojnë periudhën kohore që duhet për të marrë një leje pune, duke unifikuar dhe reduktuar periudhën kohore gjatë këtij procesi që krijon përsëritje të procesit dhe nuk kontribuon në arritjen e qëllimit për të cilën është vendosur si afat.

Projektligji qartëson procedurën e përcaktuar në ligj për të punuar në Republikën e Shqipërisë, duke përcaktuar qartë autoritetet përgjegjëse të përfshira dhe rolin e tyre në proces.

Gjithashtu, synohet edhe dhënia e të njëjtave përfitime për hyrjen në tregun e punës në vend, si të shtetasve të BE-së dhe të zonës Shengen që aktualisht janë të parashikuara në ligjin nr.108/2013,  edhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Në nenin 4, të projektligjit propozohen ndryshime në nenin 71, të ligjit, ku hiqet pika 4, e këtij neni, në të cilën përcaktohet periudha prej 4 javësh e publikimit të vendit të lirë të punës.

Në pikën 5, të këtij neni, shkurtohet afati brenda të cilit shqyrtohet kërkesa dhe lëshohet leja e punës, duke zëvendësuar afatin 30 ditor ma afatin 20 ditor” shkruhet në relacionin e projektligjit. Krahas shkurtimit të afateve për publikimin e vendit të lirë të punës për të huajt nga 1 muaj në 15 ditë, ndryshimet parashikojnë se procedurën e re se si një i huaj do të aplikojë.

“Punëdhënësi ndryshe nga më parë kur duhet të ndjekë vetë procedurën e publikimit të vendit vakant të punës disa herë dhe pas mbarimit të periudhës 4-javore të aplikojë sërish te një specialist për leje pune, tashmë ai aplikon për leje pune duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm të përcaktuar në aktet nënligjore, dhe është specialisti i migracionit që komunikon me specialistë të tjerë për shpalljen e vendit të lirë të punës.

Gjithë kjo procedurë është brenda aplikimit për leje pune. Në projektligjin e ri shpallja për plotësimin e një vendi të lirë pune i caktohet  autoritetit shtetëror përgjegjës për punësimin dhe fillon nga momenti i regjistrimit të kërkesës për leje pune, duke qenë se këto dy procese janë të lidhura me këtë ndryshim, qytetari nuk komunikon me dy specialist të ndryshëm në rastin më të mirë apo dy zyra të ndryshme brenda autoritetit të punësimit, por komunikon vetëm me specialistin e migracionit, i cili menjëherë pas regjistrimit të kërkesës së shtetasit të huaj bën dhe shpalljen e vendit të lirë të punës.

Gjithashtu, njëkohësisht bashkohen edhe afatet kohore periudha e publikimit të vendit të lirë të punës tashmë është brenda periudhës së shqyrtimit të kërkesës për leje pune. Pas 15 ditëve nga publikimi i vendit të lirë të punës, autoriteti përgjegjës për punësimin, ka edhe 5 ditë kohë për të vazhduar shqyrtimin e dokumentacionit dhe për t’i kthyer përgjigje subjektit kërkues për miratimin dhe lëshimin e lejes së punës ose mosmiratimin e saj.

Sa më sipër bashkon dy periudhat e publikimit të vendit vakant dhe të shqyrtimit të lejes së punës në një periudhë të vetme aplikimi, shpallje të vendit të lirë të punës dhe shqyrtimi të lejes së punës, në total 20 ditë shqyrtimi të aplikimit për leje pune për një shtetas të huaj” shpjegohet më tej në relacion.

Këto ndryshime ligjore vijnë në një kohë kur vetë Shqipëria po përballet me probleme të fuqisë punëtore për shkak të emigracionit si dhe me atë që mund të cilësohet si “papunësi strukturore” ku vendet e punës nuk përputhen me kualifikimin e krahut të punës./Scan.tv

LEAVE A REPLY