Friday, April 19, 2024
Home Aktualitet Gati “Arena Kombëtare”, nëntori kthen Kombëtaren e Futbollit në shtëpinë e saj

Gati “Arena Kombëtare”, nëntori kthen Kombëtaren e Futbollit në shtëpinë e saj

0
697

Muaji nëntor do të shënojë dhe kthimin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në shtëpinë e saj në Tiranë, për të luajtur ndeshjet ndërkombëtare, në stadiumin e ri “Arena Kombëtare”.

Punimet e fundit që gjithçka të jetë gati u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky stadium është një bizhu për Tiranën dhe Shqipërinë.

Veliaj: “Kombëtarja ka shëtitur në disa qytete, ka qenë diçka shumë e mirë sepse ka inkurajuar shpirtin e futbollit edhe në qytetet e tjera, ama shtëpia e vërtetë është Tirana. Por, stadiumi i ri është një bizhu; arkitektët, kolegët e federatës, kolegët ndërtues dhe konstruktorë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”.

Veliaj theksoi se ndërtimi i këtij stadiumi modern është prova më e mirë se pavarësisht zërave kritikë dhe skeptikë, me punë dhe vullnet mund të bëhen gjëra të mrekullueshme në Tiranë.

Veliaj: “Për të gjithë ata që thonë: Jo more, ne shqiptarët nuk bëhemi, nuk jemi të aftë të realizojmë – ja, kjo është prova! Kur ne bëhemi bashkë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar që kjo bizhu t’i vijë Tiranës, por edhe për ata që kanë qenë cinikë edhe skeptikë në fillim. Çfarë ishte për të ruajtur fasada e vjetër e stadiumit, është ruajtur. Por, ama, çfarë ishte kalbur dhe duhej bërë nga e para, është bërë nga e para. Për këdo që më përpara kritikonte Edi Ramën, duke qenë cinik, dyshues, skeptik dhe thoshte se gjëra të tilla nuk bëhen në Tiranë, kjo është prova kokëfortë se në Tiranë mund të bëhen gjëra të mrekullueshme”.

Kryebashkiaku paralajmëroi se projekti i radhës, i cili pritet të nisë shumë shpejt, është ai i transformimit të Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here