Shqipëria renditet e fundit në Ballkan sa i takon mbrojtjes dhe mirëqenies së grave, sipas një studimi global të sapopublikuar. Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2019/20 e rendit Shqipërinë në vendin 57 midis 167 shteteve, të krahasuar në 11 tregues mbi cilësinë e jetës së grave. Indeksi u përgatit nga Instituti i Universitetit Georgetown për Gratë, Paqen e Sigurinë si dhe Instituti i Oslos për Kërkime mbi Paqen. Ai mati në mënyrë të krahasuar treguesit e mirëqenies ekonomike, sociale, politike të grave, ligjet dhe diskriminimin, si dhe sigurinë e grave në familje, komunitet dhe në shoqëri.

Shqipëria raportohet në të 11 treguesit e Indeksit me pikë dhe përqindje, përkatësisht: Shkollimi 9.8 pikë, përfshirja financiare 38.1, punësimi 46.4, përdorimi i celularëve 86.1, përfaqësimi parlamentar 29.3, mbështetja ligjore 10, paragjykimi gjinor 1.08, diskriminimi në punë 6, dhuna nga partneri 8.2, siguria në komunitet 61.6 pikë, dhunë e organiizuar 0.

Sipas Indeksit të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka shënuar ndryshime të papërfillshme në shkollimin e grave, paragjykime gjinore, dhunë gjinore dhe përdorim celularësh, si dhe përmirësim në përfshirjen financiare të grave, përfaqësim parlamentar, mbrojtje ligjore dhe siguri në komunitet. Këto nuk mjaftuan që të kapërcente në renditje asnjë nga vendet fqinje në rajon. Maqedonia Veriore renditet 20 vende mbi Shqipërinë në këtë Indeks global, duke raportuar më shumë përfaqësim parlamentar të grave (38.3 pikë), përfshirje financiare (72.9), më shumë siguri të tyre në komunitet (64.9) dhe më pak dhunë nga partneri (3.1).

Indeksi ka të dhëna për Kosovën në 6 prej 11 treguesve të studimit, çka e bëri të pamundur vendosjen e saj në renditjen globale. Sipas treguesve të paraqitur për Kosovën, përfshirja financiare e grave është 43.7 pikë (më e lartë se Shqipëria), përdorimi i celularëve 89.6 (më e lartë se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore), mbështetja ligjore 10, diskriminimi në punë 9, dhuna nga partnerët 3.7, ndërsa siguria në komunitet 67.2 pikë (më e lartë se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore). Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2019/20 hapet me Norvegjinë në vendin e parë dhe mbyllet me Jemenin në vendin e fundit 167. Autorët e studimit voluminoz theksuan se e kryejnë Indeksin me besimin se “paqja e qëndrueshme mund të vijë përmes përfshirjes, drejtësisë dhe sigurisë për gratë”.

/VOA/

LEAVE A REPLY