Tuesday, November 19, 2019

Divorcet në rritje, boom padish për pension ushqimor. Propozimi i ekspertëve: VKM për minimumin jetik për fëmijët

148
0

Procese të shumta të zgjidhjeve të martesave kryesisht, nxjerrin në pah ditë pas dite problemin e referimit të minimumit jetik, i cili nuk përkon me përmbushjen e nevojave bazike të fëmijëve. Në vitin 2017, sipas të dhënave më të fundit të raportimit nga INSTAT, norma e divorcit pësoi sërish një rritje, duke arritur 19.9 divorce në 100 martesa. Ekspertët e fushës ligjore sakaq, kanë raportuar një rritje të gjyqeve edhe këtë vit, që lidhen me problemin e pensionin ushqimor, që në rast divorcesh po në rritje, babai ka detyrimin ligjor të paguajë fëmijës/fëmijëve.

“Masa e pensionit ushqimor, (7000 lekë në muaj), rezulton diskriminuese në çdo rast e nuk përfaqëson kurrsesi interesin më të lartë të fëmijëve. Mungesa e references së një akti të tillë, ka prekur drejtpërsëdrejti mijëra fëmijë përgjatë këtyre viteve e vijon të prekë sërish të tjerë ditë pas dite, duke cënuar kësisoj një standard të pranueshëm. Nevojitet një trajtim specifik i këtij problemi, detyrim parësor i institucioneve të linjës, një studim i mirëfilltë me specialistë të fushës, drejt krijimit të një standardi i cili presupozon plotësimin e nevojave fizike, psikologjike dhe sociale të çdo fëmije, në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin e duhur të secilit, referuar standardeve ndërkombëtare caktuar për këtë qëllim.”-pohon av. Denisa Daka, duke shtuar se në dyert e Gjykatës, në mes çështjeve familjare, ka një rritje padish për pensionin ushqimor.

“VKM e munguar lidhur me minimumin jetik për fëmijë, penalizon ditë pas dite shumë familje. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë lidhur me minimumin jetik për fëmijë, nismë e cila nuk u morr në asnjë rast nga institucionet përgjegjëse këtu e për pasojë nuk ekziston një VKM orientuese e detyruese për këtë qëllim.”-shton avokatja, duke cilësuar si tejet të rëndësishme edhe domosdoshmërinë që në buxhetin e shtetit të aprovohet një zë i posaçëm për këtë shkak.

Sipas Gjykatës së Tiranës, paditë për pension ushqimor gjatë këtij viti, nga janari deri në 20 tetor, janë në total 22, ndër të cilat vetëm 12 çështje janë përfunduar dhe 8 të ankimuara. Sipas specialistëve, kjo ndodh në rastet kur bashkëshorti pjesë e procesit të divorcit, mohon dhënien e pagesës mujore së detyruar për fëmijën ose caktohet nga vetë gjykata pagesa minimale e parashikuar.

Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës kanë deklaruar më parë për “Monitor” se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi./Monitor

LEAVE A REPLY