Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij “U’ jam Arbëresh”, Presidenti Ilir Meta vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor.

Kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano e falenderoi Presidentin Meta për “vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arbëresh, veçanërisht të rajonit të Puglia-s, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arbëresh””.

Meta mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu në Kazalvekio, ekzaktësisht një vit pasi vizitës sime të paharruar me Presidentin Mattarella në Shën Mitër Korona. Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës arbëreshe si Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara, për të  frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe  ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arbëreshëve të Italisë.

Kjo është arsyeja përse duhet  t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje ruajtjes së kulturës arbëreshe, sepse globalizimi është një kërcënim serioz për minorancat kulturore, apo për popujt dhe vendet modeste,” tha Meta.

“Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Jugun e Italisë, si dhe në komunat arbëreshe, ka një tendencë të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve më të zhvilluara. Ndaj është me rëndësi që t’i kushtojmë më shumë vëmendje përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së minorancave. Sepse gjuha dhe kisha e ruajtën këtë trashëgimi për shekuj dhe tani është koha që gjuha arbëreshe të mos rrezikohet të shuhet,” vijoi kreu i shtetit.

Në fund të fjalës, Meta e kishte një mesazh që shkon edhe për politikën në Shqipëri.

“Shqipëria ka vetëm një të ardhme, kjo e ardhme është në Europë. Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Këtë identitet dhe këtë rrugëtim europian të kombit tonë e kanë ruajtur të paprekur në radhë të parë arbëreshët”.

LEAVE A REPLY