Agim Rexhep Neziri: “Dy dikatura përballë njëra-tjetrës”

0
2055

 

“DY DIKATURA PËRBALLË NJËRA-TJETRËS” nga dr Agim Rexhep Neziri

Reflektim mbi dy ngjarje të përjetuara në shtëpinë tonë.
Dr. Agim Rexhep Neziri
Mjek Okulist
Isha në moshën 6-vjeçare. Ishte viti 1944. Ishte muajt e fundit ku populli ynë lëngonte nën çizmen e rëndë të pushtuesve nazistë. Ndihej e vrazhdë krisma e pushkëve dhe artilerisë, por ndihej edhe jehona e shpresës për liri e për shpëtim, ndihej se po ktheheshin fitimtarë djemtë e Luftës Nacional-Çlirimtare, ndër të cilët kishim edhe njerëz tanë të afërt.
Një ditë fillim nëntori 1944, rrëmbyeshëm, në shtëpinë tonë u futën një grup ushtarakësh gjermanë, të cilët me tone të ashpra i kërkuan tim eti, Rexhep Nezirit, profesor në Gjimnazin e Shkodrës,  që katin e parë të shtëpisë sonë dykatëshe, ta lironim për të strehuar rreth dhjetë ushtarë, mes të cilëve edhe një toger. Diçka e tillë kishte ndodhur pothuajse në të gjitha shtëpitë e lagjes Rus, që shtrihej deri në periferinë veriore të qytetit, në rrugën drejt Koplikut-Hani i Hotit-Podgoricë.
U detyruam të zbatonim urdhërin. Liruam katin e parë, kryesisht dhomën e madhe të pritjes, të pajisur me mobilje të rënda, të reja e moderne. Menjëherë, u vendosën me shtretër portativë në dy  dhoma ushtarët e në dhomën më të vogël togeri.
Atmosfera ishte e rëndë. Natë e ditë dëgjoheshin uturimat e makinave ushtarake që grupoheshin në Shkodër, për t’u drejtuar drejt veriut, Podgoricë e më tej. Shpesh ndihej edhe zhurma e skuadriljeve të avionëve anglezë si dhe kundërpërgjigja e një mitralozi kundërajror të vendosur mbi një kamion në oborrin e shtëpisë sonë. Ne, të frikësuar vraponim nën pushimin e shkallëve që çonin në katin e dytë. Siç thuhej, këto avionë në fakt kishin objektiv Podgoricën.
Por tmerrin e vërtetë e kaluam, kur në njërën prej këtyre ditëve erdhi për inspektim kapiteni gjerman, i cili si i çakërdisur me tone të ashpra e kërcënuese akuzonte me britma e gjeste të tmerrshme babain tonë, ngaqë kishte larguar mobiliet nga dhoma e madhe e pritjes. E kur babai, në gjermanisht, i shpjegonte se urdhëri ishte dhënë për “lirim të dhomave”, ai u egërsua aq shumë, sa nxori revolen e ia drejtoi babait. Ishte vetëm fati e ndërhyrja e togerit çek, inxhinier që kishte studiuar në Francë, e që me babain e bashkonte interesi për gjuhën frënge dhe për lajmet në radio nga fronti antigjerman, që e shpëtuan tim atë. Togeri çek, siç duket i mobilizuar me forcë, sillej shumë normalisht dhe me edukatë me familjen tonë. Për çudi, edhe ushtarët që alternoheshin edhe me të tjerë, silleshin në mënyrë shumë korrekte.
Pak e papritur nga njw pushtues…, ata dhe për fëmijët, tregoheshin të kujdeshëm, ku shpesh, mua, e fëmijëve të tjerë të shtëpisë i dhuronin çokollata, komposto, biskota speciale, etj. Përveç këtij furnizimi suplementar të bollshëm, ata furnizoheshin rregullisht edhe me ushqim tw ngrohtw, kryesisht pure patatesh e shnitzel nga kuzhina fushore në afërsi të shtëpisë tonë, me gjithë që ishin në tërheqje e në disfatë.
Veç kësaj, më bënte përshtypje rregulli e pastërtia shembullore që mbanin. Ushtarët gjermanë largonin çdo mbeturinë pas konsumit dhe  groposnin në një cep të oborrit kutitë metalike të konservave, të cilat, pas dhjetëra vitesh, për të verifikuar kujtesën time, i kam gjetur 50 cm nën tokë dhe i kam eliminuar.
Pas një nate ankthi të vërtetë, të natës 27-28 nëntor 1944, natë me krisma të jashtëzakonshme pushkësh, mitralozësh dhe bombash, që kulmuan me shpërthime të llahtarshme bombash e municionesh të shkaktuara nga hedhja në erë nga vetë gjermanët e disa depove municionesh, mes të cilave edhe një shtëpie të kushurinjve tonë në lagjen Rus, e nesërmja qe një ditë me borë, por edhe me diell e me gëzimin mbarëpopullor të lirisë. Bëheshin manifestime të zhurmshme në Pijacë e afër prefekturës, ku ne si fëmijë shkonim të gëzuar, duke lodruar nëpër rrugë. Ishte koha kur dëgjoheshin edhe thirrjet Çurçill-Stalin-Ruzvelt, që pas pak kohësh u zëvendësuan me thirrjet Enver-Tito-Stalin.
Lufta kishte mbaruar, por në Shkodër vinin për t’u grumbulluar forca ushtarake të mëdha nga jugu. Gëzimin e madh, se tani ishim të lirë e do të hanim me lugë floriri, e ndërprisnin herë pas here shpërthime aksidentale të mbeturinave të bombave të mbetura, që fëmijët e vegjël i merrnin si lojë, por më pas shihnim shokët tanë të gjakosur, kur i drejtonin për në spital.
Por, pak më vonë, në orët e para të mëngjesit, filluam tw zgjoheshim nga krisma në Zallin e Kirit, ku thuhej se pushkatoheshin armiqtë e tradhtarët e popullit, mes të cilëve edhe priftërinj e klerikë të shquar. Ndodhte, që në disa pika të qytetit,  fëmijët e lagjes sonë, shkonin të shihnin persona të varur me gjuhën jashtë, si Llesh Marashin, apo Prekë Calin. Tregimet e këtyre shokëve na llahtarisnin.
Krahas gëzimit që u hapën shkollat e ne filluam mësimin në  klasën e parë, dëgjonim edhe lajme të rënda si tatimet e jashtëzakonshme e të papërballueshme për shumë qytetarëve shkodranë, që në pamundësi për shlyerje, i sekuestrohej e shtetizohej shtëpia dhe pasuria. Këta pronarë, më së shumti përfundonin në hauret e bashkëqytetarëve të tjerë. Këtë fat patën edhe shumë njerëz të afërt të familjes sonë.
Ndërsa në shtëpinë tonë ndodhi disi ndryshe. Theksoj se shtëpia jonë dyjatëshe ishte e re dhe e ndërtuar vetëm para pak muajsh, me shumë sakrifica, pas një djegieje aksidentale.
Fillimisht, në katin e parë futën për strehim forcërisht, familjen e një tregtari të cilit i kishin sekuestruar shtëpinë e tij trekatëshe në qendër të Shkodrës. Por, pas disa muajsh e nxorën prej nesh, si i padenjë për të jetuar në një shtëpi të re e të mirë si e jona.
Në fillimverën e vitit 1948, një ekip nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit e Këshilli i Lagjes, erdhën në shtëpinë tonë me një propozim të çuditshëm, duke iu drejtuar tim nwnws time: “Ju e dini se vëllezërit tanë jugosllavë janë duke na ndihmuar në veprën shumë të  madhe e të rëndësishme, hekurudhën Shkodër-Podgoricë, që tashme ka filluar. Dy inxhinierë jugosllavë, do vinë të strehohen në shtëpinë tuaj, dhe ju duhet ta lironi atë sa më parë”.
Një gjë e tillë na ra si bombë. Theksoj se në shtëpi ishim tre fëmijë të vegjël, unë më i madhi 10-vjeçar. Babai, në atë periudhë, ishte me punë larg, në Elbasan, ku punonte si mësues në Normalen e Elbasanit. Refuzimi ynë për t’u larguar nga shtëpia e kërkesa për të qëndruar, të paktën në një pjesë të shtëpisë tonë, me argumentin se edhe gjermanët nuk na nxorën, por na lejuan të bashkëjetonim në njërin kat të shtëpisë, dhe që tre dhomat e katit të parë ishin të mjaftueshme për dy inxhinierët, ranë vesh të shurdhër. Ekipi çuditej se si ne nuk kuptonim se inxhinierët, që do të banonin në ditët e fundjavës, pasi kohën tjetër ishin me punë në Bajzë, kishin nevojë për qetësi e relaks, pa njerëz nëpër këmbë.
Meqë ne prapë “nuk po arrinim të kuptonim”, njëri prej tyre na “ndihmoi” duke na thënë në mënyrë konfidenciale: “Ju lirojeni shtëpinë vullnetarisht, se në fund të fundit, shteti di edhe t’jua shtetizojë përgithmonë, ndërsa kur të mbarojë hekurudha, ju prapë do ta merrni shtëpinë tuaj”.
Ne, “vullnetarisht”, e liruam shtëpinë, duke kërkuar favorin që të strehoheshim në një shtëpi sa më afër tonës, sepse kishim edhe kopshtin që na shërbente si ekonomi ndihmëse, në rrethana ku jetonim vetëm më një gjysëm rroge mësuesi.
Na u plotësua vetëm kërkesa e parë. Na vunë në dispozicion dy dhoma përdhese në haurin e komshinjve, kurse për kopshtin na këshilluan të hiqnim dorë, sepse dy inxhinierët, vëllezër jugosllavë, mund të preferonin që të shëtisnin nëpër kopsht të pabezdisur.
Kjo maskaradë përfundoi me një happy-end. Ndërsa familja jonë po punonte për të pastruar e sistemuar haurin e komshinjve, ku do të strehoheshim, u dëgjua lajmi se “ra Titoja”. Ishte besoj, qershori i vitit 1948, kur u prishën totalisht marëdhëniet vëllazërore me jugosllavët. Menjëherë e ndërpremë punën e u futëm në shtëpinë tonë, ku jo pa peripeci të tjera të këtij lloji, jetojmë edhe sot. Këto ”peripeci” u ndodhën pothuaj shumicës së shtëpive shkodrane, të cilat u mbushën me qeraxhinj të paftuar,  ushtarakë e civilë nga jugu, për dekada të tëra. Situata kishte marrë përmasa të tilla, saqë një humorist shkodran pati pyetur: A është më e madhe Toskëria apo Italia? Kjo sepse në kohën e pushtimit italian nuk pati qeraxhinj të tillë, të futur forcërisht tek prona e tjetrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here