Presidenti Ilir Meta ka falënderuar publikisht këngaren e njohur me origjinë shqiptare Bebe Rexha, e cila vendosi që të financojë ndërtimin e dy banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Pasi inspektuan nga afër banesën e dytë që do të kontribuonte për rindërtim Bebe Rexha, kreu i shtetit theksoi se këngëtarja vendosi zemrën e saj në këtë aksion dhe la pas axhendën muzikore.

“I jam shumë mirënjohës Bebe Rexhës, artistes me fame botërorë, e cila i ka kushtuar kësaj tragjedie kohën e saj, ka ndryshuar axhendën. Ka vendosur zemrën e saj në këtë aksion konrekt, për të qenë pranë komuniteteve më të prekura. Për të sjellë në vëmendjen këtë tragjedi dhe këtë krizë humanitare përpara opinionit ndërkombëtar. Prandaj, shume faleminderit edhe njëherë Bebe për këtë solidaritet, për këtë krenari që ndjen që je shqiptare dhe për faktin që je me ne në momente të vështira, nga të cilat mund të themi se nuk i kemi i përjetuar prej shumë kohësh. Përmes këtij solidariteti do t’i përballojmë dhe do ndihmojmë situatën”, tha Meta. Ndërkohë, këngëtarja Bebe Rexha ripërsëriti edhe njëherë faktin se ishte krenare që ishte shqiptare, ndërsa ftoi të gjithë bashkatdhetarët e saj kudo në botë që të japin kontributin e tyre për këto familje në nevojë.

“Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe jam e lumtur që po ndihmoj një tjetër familje. Jemi të fortë. Jam krenare që jam shqiptare dhe jam krenare që po ndihmoj shqiptarë të tjerë. Të gjithë shqiptarët nëpër botë, ky është momenti ku mund të kontribuojnë dhe të ndihmoni familjet shqiptare. Të ndihmoni njerëzit tanë që të ndërtojnë një shtëpi dhe të kenë një jetë më të mirë.”, tha Bebe Rexha.

LEAVE A REPLY