Saturday, January 18, 2020

“Drogë, armë e municione”, dy të arrestuar në Kurbin

99
0

Goditet një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy persona, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.

“Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Zheja”.Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin” njofton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit  J. (K.) Rr, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin  po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat  penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”,  në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.

LEAVE A REPLY