Kurti e Osmani paralajmërojnë zëvendësimin e taksës me reciprocitet

0
693

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, kryeministri Kurti tha se qeveria e tij, nuk i vë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike, por edhe arsye aktuale.

“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.

“Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha Kurti.

Sipas tij, edhe LIdhja Demokratke e Kosovës edhe Vetëvendosje, janë praktikisht për parimin e reciprocitetit.

“Besoj se edhe ata që janë në opozitë dhe që nuk na votuan, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin do të jenë dakord”, tha Kurti.

Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se pret nga qeveria e Kurtit të dalë me ide të reja, në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Konsiderojmë që taksa ka shkel bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tani po presim që qeveria e re të dal me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje, nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”

Pozicioni që Qeveria e re e Kosovës do të marrë në raport me taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, pritet të jetë hap vendimtar në lidhje me vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Një ditë pasi që Kuvendi i Kosovës votoi për formimin e qeverisë së re me Albin Kurtin kryeministër, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia./REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here