Policia parandalon vjedhjen me armë të një marketi në Kamëz. Në pranga ka rënë një 20-vjeçar.
“Në orët e mbrëmjes së datës 13.02.2020, Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një shtetas 20-vjeçar qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri.Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e shtetasit të dyshuar, i cili qarkullonte me një biçikletë dhe në çantën e shpinës kishte një armë zjarri kallashnikov” sqaron policia.
Në momentet që i riu po përgatitej të hynte në një market në Laknas, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e prangosur në flagrancë shtetasin K. K., banues në Laknas.
Gjate kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.
Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë.
Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.