Nga Luan Rama (Nënkryetar i LSI)
Janë vetëm ditët e para të ballafaqimit me pandeminë e koronavirusit, e megjithë ndalimet e shumta e qëndrimin e detyruar brenda shtëpive, prapë ka ca tipa të ngjashëm për nga ligësia me virusin koronë, që predikojnë e moralizojnë a thua se kanë ardhur prej qiellit e zbritën dje në Shqipëri!
Politikanët të bëhen të gjithë bashkë, na thonë!
Ç’idiotësi në kohë pandemie!
Jo more jo, politikanët të mbyllin gojën politike e të shfaqen njerëzorë!
Ti lenë të qetë njerëzit e të mos na e ndyjnë më përmes ekranit ditën që prej kryeministrit të parit e gjithë të tjerët me rradhë! Edhe kryetarët e partive gjithashtu!
Dua të dëgjoj mjekët, dua këshillën e fjalën e tyre melhem për shpirtin e për trupin.
Dua të ndjej përkujdesjen e shërbimit të tyre dhe e të gjithë punonjësve të shëndetësisë.
Heroizmi i tyre nuk ka nevojë për duartrokitjet hipokrite!
Sakrifica e tyre nuk ka nevojë për shëmtinë e protagonizmit politik, e sidomos të disa prej atyre që vetëm pak kohë më parë urdhëruan burgosjen e turpshme të kirurgut të respektuar Luan Dragusha në Shkodër që u bë i njohur në gjithë Shwipërinë vitin e shkuar, pasi zgjodhi të kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’iu shërbyer qytetarëve të Shkodrës, e bashkë me të edhe të disa punonjësve të tjerë në spitalin e Shkodrës dhe që i përdorën për statistika në mbushjen e fjalimeve të turpit në parlament e qeveri!
Apo e keni harruar atë maskaradë e shumë të tjera të ngjashme me to, teksa i shisnit mjekët me pranga në duar në tregun e korrupsionit mediatik!
Apo dje ishin të këqinjtë, të korruptuarit, ishin KÇK-ja e sot na qenkan heronjtë!
Ç’pafytyrësi e pacak!
Lërini mjekët të shërbejnë në misonin e shenjtë e mos i fyeni duke folur në emër të tyre!
Njerëzit kanë nevojë të gjejnë dashurinë dhe mirësinë e njeriut e nuk durojnë më të dëgjojnë mbllaçitjet fyese e kërcënimet idiote për gjoba e ndëshkime se jeta nuk matet me gjoba.
Jeta nuk çmohet as me fjalime!
Ndaj lërini predikimet idiote, se nuk na hyjnë në punë!
Predikimet nuk shërbejnë, nuk parandalojnë, nuk shërojnë!