OBSH-ja u bëri thirrje të gjitha qeverive të testojnë sa më shumë njerëz me simptoma të koronavirusit, për të mund të ndalur pandeminë globale. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron se lufta me infeksionin mund të zgjatë deri në verë.

Në botë numri i të infektuarve me koronavirus është ngjitur mbi 180 mijë dhe ndarjet nga jeta mbi 7,100.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se e vetmja mënyrë për ta kontrolluar infeksionin është testimi dhe izolimi më shpejt i sa më shumë personave.

“Zjarri nuk luftohet symbyllur. Edhe kjo pandemi nuk ndalet pa ditur kush janë të infektuarit. Mesazhi i thjeshtë për çdo vend është testoni dhe testoni përsëri. Besojmë se virusi është i kontrollueshëm,” deklaroi shefi i OBSH-së Tedros Adanom.

Në mbarë globin janë shtuar strategjitë e kontrollit të pandemisë, nga mbyllja e kufijve për 30 ditë në të gjithë Bashkimin Europian, te pezullimi i fluturimeve dhe karantinimi automatik dyjavor i udhëtarëve në shumë nga zonat e prekura.

“Të gjithë amerikanët duhet të evitojnë mbledhjen në grupe me më shumë se dhjetë veta, të shmangin udhëtimet jo të detyrueshme dhe të shmangin ngrënie-pirjet në bare, restorante dhe vende publike. Virusin do e mposhtim nëse secili i përmbahet këtyre ndryshimeve dhe sakrificave,” njoftoi të hënën presidenti amerikan, Donald Trump.

“Duke nisur nga e marta në mesditë, për të paktën 15 ditë lëvizjet brenda vendit do të jenë ekstremisht të kufizuara. E di që ajo që kërkohet është e paprecedentë por kështu e duan rrethanat. Ne jemi në luftë,” deklaroi presidenti francez Emanuel Makron me një mesazh televiziv.

Bilanci i të infektuarve në Francë, së bashku me raportimet nga Italia, Spanja, dhe Gjermania ka arritur mbi 51 mijë,viktimat në këto shtete në 2,600.

Jashtë Europës, Irani rezulton vendi i dytë më i prekur me 15 mijë raste dhe gati 900 të vdekur.

Në epiqendrën fillestare, ndërkaq, në Kinë numri po rritet me një mesatare prej 20 rastesh të reja çdo ditë, teksa 68 mijë janë rikuperuar dhe vetëm rreth 9 mijë pacientë janë në ndjekje e sipër.

LEAVE A REPLY